E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një xhungë në letërsinë shqipe

27/02/2005  (vështrim në librin “Sikur Ana”...dhe sikur letërsia)

Të eksplorosh pozicionet e kultivuesve të letërsisë midis humbjes dhe tregut në brendësi të situatave, të ndarjes dhe të grupimeve të lidhura në botën e shtypit, është e vështirë. Është domosdoshmëri e cila sjell jo vetëm debat, por edhe përvojë, sepse e tillë është mënyra si t’u largohesh dhe, njëkohësisht, si të sillesh në grupimin e madh të atyre që bëjnë letërsi. Duket sikur po krijohet një ushtri rezervë shkruesish që pretendojnë të marrin grada sipas hierarkisë. Kjo është sa për të qeshur, aq edhe për të vënë ulërimën, kujën. Letërsia e lëshuar, letërsia e shkelur, letërsia e shpërfillur. (?!) Sistemi i medias ( TV, botimet , shtypi) është në mënyrën e vet i vëmendshëm dhe përkëdhel ankthin e pranimit të kësaj “ushtrie rezervë”, duke prezantuar gjithmonë më shumë klasifikime të brishta dhe antologji, ose duke i ushqyer një kërkim pa fund, promovim absurd e qesharak Në dredhitë e tyre dhe mbi të njëjtin model, një numër i pafund botuesish të vegjël e të mëdhenj, pak a shumë piratë shkojnë në sulm të “rezervistëve” të injoruar o pak të njohur duke imponuar gjithmonë e më shpesh botime degraduese për parà.”më duhet i domosdoshëm rileximi, qoftë edhe i pjesshëm i shënimeve të mia të paradokohëshme.- Këto i kam shkruar kohë më parë, por më vijnë në mendje, sa herë më bie në dorë një tufë letrash të ngjitura si rasti ilibrit “Sikur Ana…” me shkruese Rudina Xhunga.

***

Bebi i ngjizur në barkun e personazhit femër e cila vazhdimisht flet me barkun e saj, pa parë majtas e djathtas, pa rrëfyer që njeriu ka lidhje të pallogaritshme edhe me grimcat e rërës, edhe me gjethet kur fëshfërijnë, edhe me ujin që pi, nuk i bëri dot nëntë muaj, aq sa e ka taksur perëndia për t’u formuar, me të gjitha tiparet e njeriut. Ai nuk doli. Por, si duket, për ta kompesuar këtë, Rudina Xhunga, nxorri papjekur një roman shtatanik i cili fillon e mbaron vetëm me dy nota muzikore, ose do- re-, ose re , do duke i shtuar një xhungë më tepër letërsisë shqipe me këtë libër. Agjë tjetër. Përpiqesh si lexues profesional, ose i çfarëdoshëm që të interferosh emocionalisht, filozofikisht, psikologjikisht në 150 faqet me shkrim të rrallë të një romani të vogël, dhe asgjë. Mbetesh bosh, pa kuptuar se cili është halli i shkarrashkrueses e cila e ka futur një roman-fetus, të ngjizur verën e fundit, (si u shpreh një gazetare e medias vizive gjatë publicitetit gjithë epsh të kopertinës!) në shtëpinë botuese dhe ka nxjerrë një libër “handikapat”. Edhe pse është zgjedhur si Nun në kopertinën pas, një nga emrat e njohur të letrave shqipe, si është Rexhep Qosja, përsëri libri nuk arriti dot të ketë fytyrën e vet, kujtesën e vet dhe gjithë tiparet e tjera që e bëjnë një libër të quhet roman.

Fillim interesant. Dikush çon një disketë në një shtëpi botuese me porosi për ta botuar si libër. Botuesja e lexon (bashkë me ne) dhe në fund ajo vendos ta botojë. Deri këtu është mirë. Na mbetet të thellohemi se çfarë lexojmë në rrëfimin që sjell disketa misterioze.

Një grua e re, sapo ka kuptuar që është shtatzanë dhe po krijon një botë të re. Fillon një bashkëbisedim midis mamit dhe bebit që sapo është ngjizur nga një dashuri. Një bisedim i cili edhe pse ka për personazhe një mami, një babi- hije dhe një bebe, përpiqet të sjellë realitetin shqiptar të viteve të vështira kur firmat piramidale janë në lulëzimin dhe fundin e tyre. Bebi abortohet. Dhe bëri mirë. Por më mirë do ishte të kishte abortuar romanin personazhi femër dhe të ruante bebin, qoftë edhe pa e përzjerë me dramën e njëtrajtshme e cila e çoi një beb drejt prishjes. Romanit i mungon thelbi, të cilin ia jep një pikëvështrim më i largët dhe më i tejçuar që duhej të kishte, i mungon jeta, vëzhgimi i ambientit, i mungon fryma, lidhja me të tërën. Ai është vetëm një kordon i që e çon vështrimin e cungët të autores nga sytë e saj tek barku, nga barku tek sytë. Gjëja më e koklavitur që më zgjoi një imagjinatë infantile gjatë leximit është se si realizohet një abort. Me një gjilpërë, një gjumë dhe asnjë dhimbje. Nuk e dija. Dhe populli thotë: “Gjëja që të bën të vuash më shumë, ajo duhet”. Ndoshta shkrimi i këtij libri nuk e ka bërë të vuajë shumë autoren, por si lexuese mua më krijoi vapë, më krijoi parametrat për një depresion që vjen prej romanexheshave dhe romanexhinjëve të viteve të fundit. Letërsia është ajzberg, është akullnajë. I takon punës së shkrimtarit ta bëjë të shkrijë, të përvëlojë, të nxjerrë flakë prej fërkimit të copave të akullit. Proza shkruhet kur autori është i shtyrë nga domosdoshmëria për të treguar diçka që e ndjen të rëndësishme jo vetëm për vete, por edhe për lexuesin.

Romanit i mungon ngjeshja për sondazhin e një brendësie tronditëse, në veçanti të atyre ngjarjeve lidhur me realitetin shqiptar. Nuk ka arritur të vëzhgojë e të sjellë energjinë e madhe etike që do të krijonte një klimë të mrekullueshme dhe do të lejonte të përballej me kurajo ekstreme me dhimbjen tonë ekzistenciale.

Nuk e di në është qetësi, por aspak kthjelltësi ndjesia që të sjell faqja e fundit e librit. Do të ishte një zgjidhje interesante që përballë temës së vuajtjes dhe të dhimbjes të përmblidhej një pozicion i rëndësishëm: mospërqasja pasive apo sakrifica e ofruar, por përkushtim total i vetë përgjegjshmërisë. Në roman heroina njeh gjendjen e vet pa u çliruar, pa u dënuar dhe kjo për mua do të ishte e rëndësishme, sepse do të arrinte të zëvendësonte ndërgjegjësimin e fajit me ndjenjën e fajit. E para do të ishte përfitim etik, ndërkohë që e dyta do të prodhonte një vuajtje për diçka që këtu ne jemi përgjegjës. Ndjenjat patologjike të fajit lindin nga njerëz nevrastenikë, që janë në konflikt me ambientin, këtë duhej të kishte shmangur autorja e të na rrëfente për fajin dhe ndërgjegjen publike e kolektive, nëse duhet të ketë kurajon e duhur për t’u pranuar, për fitimin e luftës për tu rehabilituar si personazh, si grup shoqëror dhe si qënie njerëzore që vijmë në botë për t’u ndjerë mirë. Qëndrimi i personazhit përballë dhimbjes, si përballë fajit, është një qëndrim që kërkonte në brendi të rastit shumë kurajo, që për fat të keq, këtu nuk duket kurrkund.

Kështu libri do të kishte emocionuar shumë njerëz e për autoren do të ishte ishte një eksperiencë jashtëzakonisht e ngjeshur. Është një libër që nuk i shërben shumë njerëzve për tu dhënë mundësinë të një rinjohjeje të vetvetes dhe të eksperiencave të tyre. Dhe më tej, i afrohem formës me të cilën u shfaq në librari. Mendoj që publiciteti duhet vetëm në fazën fillestare dhe për një pjesë shumë të përcaktuar të publikut. Një test pranon një publik të lartë për atë ç’ka komunikojnë midis tyre lexuesit e mbi të gjitha, sepse kuptojnë që librin mund të shohin personalisht; për një vazhdimësi më pas të lexuesit është gjithmonë një hapësirë e zbuluar. Dhe kjo hapësirë nuk mbushet duke kërkuar pas kopertinës vendin ku duhet gërvishur për të fituar një dhuratë të fshehtë e që për dreq të shfaq shifrën 600 L.

Duhet të ndjekim gjurmët mes krijimtarisë sonë, por jo vetëm nëpërmjet krijimtarisë sonë, sepse krijimtaria do të shndrohej në një peshë të rëndë në përballjet me të tjerë shkrimtarë. Kush hyn e del në letërsi , duhet të përballë tonin e të tjerëve, këtë kusht njerëzor kërcënues. Vëtet është një konfuzion botimesh, por brenda këtij konfuzioni është kaq e pamundur të rigjesh lidhje të qarta, fjalë të qarta, pamje të qarta dhe të tentosh si në bashkëpunimin me të tjerë si të kthesh e të gërmosh në vetminë me krijimtarinë, për të prodhuar në atë vet një individualitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›