E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pianisti italian

27/02/2005  Mesha e Puçinit, origjinal në teatrin shqiptar

Kur para dy ditësh pianoja e Michele-s ka tingëlluar gjermanisht, në skenën e Akademisë së Arteve në Tiranë, pianisti i famshëm italian kaloi një provë.

Vëmendjen e publikut. Michele Campanella, pasi ka vëzhguar me sqimë atmosferën shqiptare, ka premtuar se do të realizojë një premierë absolute, me një nga kryeveprat e Puçinit. Projekti parashikohet të realizohet në vjeshtë. Ndërkohë që Campanella ka shpjeguar se nuk do të sjellë një pjesë çfarëdo. Duke koençiduar dhe me vitin e kompozitorit, pianisti italian ka menduar që eksperimentin e dashurisë së tij ta realizojë në skenën e Teatrit të Operas shqiptare.

“Është një detyrë e brendshme e imja që të sjell versionin origjinal të kësaj meshe, e cila nga kohërat ka ndryshuar shumë”, tha pianisti.

Së bashku me Requem të Verdit, për Campanella-n, meshat e Puçinit përbëjnë kulminacionet e artit klasik në Itali, jo operistike.

"Bëhet fjalë për një meshë, të cilën unë e kam interpretuar në vitin 1992 mbi varrin e Puçinit. Do të shfaqet në premierë absolute nga artistë shqiptarë dhe italianë. Eshtë një vepër që luhet në dy piano", ka pohuar pianisti, i cili do të sjellë origjinalin e veprës në Tiranë.

Pas kësaj, të gjithë të drejtat e pianistit, thotë se do t’ia lërë repertorit të Teatrit, krah veprave shqiptare. Ndërsa, disa netë më parë, në skenën e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, nuk ishte një paradoks për të, që të luante muzikë gjermane, por një domosdoshmëri që shoqëron çdo pianist që luan me virtuozizëm. "Eshtë një repertor, të cilin unë e zotëroj shumë mirë. Pastaj është gjithnjë një kënaqësi të kthehesh te publiku shqiptar, i ngrohtë dhe i shumtë në numër", ka thënë Campanella, gjatë një konference për shtyp. Koncerti, i cili u zhvillua në kuadër të stinës koncertore “Allegretto Albania”, organizuar nga Instituti Italian i Kulturës, vijoji edhe në teatrin "Migjeni" të qytetit të Shkodrës. Por projektet dhe ambiciet e Campanella-s shkojnë akoma më larg. Michele Campanella, është një nga virtuozët dhe interpretuesit më të mëdhenj të Liszt-it në arenën ndërkombëtare. Gjatë 35 viteve të karrierës së tij, ka interpretuar veprat më të njohura pianistike, është nderuar me një sërë çmimesh dhe është shfaqur në shumë skena ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›