E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zona e Sarandës, ku kandidon Kryeministri, është lënë me 5 mijë zgjedhës më pak nga mesatarja

27/02/2005  Përfaqësuesi i PD në bisedimet për ndarjen e re të zonave zgjedhore, Jemin Gjana, sqaron ndryshimet e bëra

Deputeti i PD-së, Jemin Gjana, në një intervistë për "Metropol" e ka cilësuar projektin e propozuar nga OSBE-ja si të paanshëm dhe që nuk lë hapësira për manipulime nga asnjëra palë. Gjithsesi, gjatë intervistës së tij, Gjana thotë se socialistët ia kanë arritur të ndërtojnë një zonë speciale për Kryeministrin, e cila ka rreth 5 mijë zgjedhës më pak se mesatarja, ku janë bazuar ekspertët e Prezencës së OSBE-së për ndarjen zonale. Duke bërë një krahasim të ndarjes zonale të propozuar me atë ekzistuese, Gjana thotë se në ndarjen e re është shmangur copëtimi i komunave, apo i bashkive, duke bërë që të krijohen zona zgjedhore, që janë afër, ose në bllok me njëra-tjetrën. Sipas ekspertit të opozitës, copëtimi i zonave elektorale është shfrytëzuar nga mazhoranca për manipulime gjatë zgjedhjeve të fundit.

Zoti Gjana, PS-ja ra dakord me ekspertët e OSBE-së për pranimin e ndarjes së re zonale. Mund të na thoni diçka më konkrete, çfarë përmban ky projekt?

Propozimi, që është shpërndarë dje, është propozimi më i fundit, dhe siç është deklaruar dhe bërë publik në media, nga të dyja palët, por dhe vetë Prezenca e OSBE-së, konfirmon nga takimet me të dyja palët, se secila prej tyre në princip ka pranuar variantin. Kjo do të thotë se ditën e hënë do të nënshkruhet marrëveshja për t'u bërë pastaj pjesë e një procedure të përshpejtuar parlamentare, që të miratohet si ligj për ndarjen zgjedhore.

Çfarë përfshin si ligj?. Pak a shumë është bazuar në propozimet e kahershme të OSBE-së, ku propozimi i parë ka qenë ai që lëvizin dy zona, njëri hiqet nga Qarku i Vlorës, pra nga 9 zona elektorale bëhet me 8 zona elektorale, Qarku i Beratit në bazë të këtij propozimi nga 7 zona do të ketë 6 zona zgjedhore, që do të thotë se do të ketë një deputet më pak. Ndërsa Tirana, do të ketë 20 zona elektorale, nga 19 që ka patur, pra shtohet një zonë në Bashkinë e Tiranës, e cila nuk do të ketë më 11 zona elektorale, por do të ketë 12 zona elektorale. Pra, në kryeqytet, do të zgjidhen 12 deputetë dhe një shtesë tjetër bëhet në Qarkun e Shkodrës, ku do të ketë jo 8 po nëntë zona zgjedhore. Kjo është zhvendosja, pastaj ndarja konkrete e 100 zonave zgjedhore është bazuar kryesisht në propozimin që është konsideruar si "Best propozo" i kryetarit të grupit të ekspertëve të OSBE-së, propozim i cili është lëshuar që më 1 shkurt të vitit 2005, sigurisht ka disa ndryshime të vogla për efekt të lëvizjes së këtyre zonave nga një qark në një qark tjetër, por baza mbetet ajo që është, dhe përcakton kufijtë e 100 zonave. Pra, kush do të jenë komunat dhe bashkitë e vogla brenda një zone elektorale, ndërkohë ka përcaktuar dhe kufijtë brenda të të gjitha bashkive të mëdha, që kanë më shumë se një zonë elektorale, pra ka të përcaktuar kufijtë e zonave zgjedhore brenda bashkisë, dhe për të 7-të bashkitë e tjera, të cilat kanë më shumë se një zonë elektorale brenda për brenda bashkisë.

Sa janë implementuar dhe marrë parasysh propozimet e opozitës në draftin e propozuar nga OSBE-ja?

Përpara se të dilte propozimi i kryetarit të grupit të ekspertëve i datës 1 shkurt 2005, i cili është deklaruar dhe si propozimi i OSBE-së, të dyja palëve u është kërkuar të hartojnë nga një variant të ndarjes së zonave. Në propozimin e OSBE-së, është implementuar dhe një ndarje e bazuar në këto projekte, por që sigurisht Prezenca ka bërë ndryshimet përkatëse, me qëllim që të mos t'u japi shanset maksimale asnjërës prej palëve, pra përgjithësisht është një përpjekje për të ndërtuar 100 zona zgjedhore, në të cilat të gjitha palët kanë shanse të barabarta për të fituar. Kërkesa e PD-së e tillë ka qenë. Ne, zyrtarisht, patëm hequr dorë zyrtarisht me anë të një letre, që kryetari i PD-së i dërgonte ambasadorit Vacek, ku shpreheshim se ne hiqnim dorë nga pretendimet tona dhe pranojmë variantin e OSBE, i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se është i paanshëm për palët. Eshtë më i miri i bazuar në listat standarde, plotëson kriteret, pra me pak fjalë nuk është variant i njëanshëm. Gjithë përpjekja e PS-së gjatë këtyre muajve ka qenë që të hartonte një projekt të njëanshëm në favor të saj, për të ruajtur ndarjen e njëanshme që ajo kishte ndërtuar në vitin 2000.

Varianti i OSBE-së, sa e zgjidh çështjen e shumëdiskutuar të minoriteteve?

Pati një kërkesë të PBDNJ-së që të kalohej nga Qarku i Vlorës në Qarkun e Gjirokastrës, ishte si të thuash një tolerancë ligjore, sepse me ligj është e ndaluar që të ketë kalime të komunave nga një qark në qarkun tjetër, me qëllim që të mund të bëhet një zonë më kompakte me më shumë komuna të banuara nga minoriteti grek. U kërkua që Dropulli i Poshtëm dhe Dropulli i Sipërm, që në ndarjen administrative i përkasin Qarkut të Gjirokastrës, mund të kalonin dhe të bashkoheshin me disa komuna të tjera, që i takojnë qarkut të Vlorës, apo ish-Rrethit të Sarandës, që të krijonin një zonë. Kjo nuk u pranua dhe përgjithësisht në ndarjen e Qarkut të Vlorës, si bazë është marrë propozimi i PS-së dhe PBDNJ-së për ta rindarë. Vetëm se është pakësuar një zonë, ndarja nuk është më me 8 zona, por me 7 zona, dhe në ato zona që kanë të bëjnë me minoritetin është pothuaj ajo ndarje. Përveç faktit që me këtë ndarje që ka propozuar PS-ja, ne e kemi pranuar për efekt të një zgjidhjeje të mundshme, sepse Shqipëria nuk mund të mbetej pa zona. PS-ja në fakt ka konfiguruar në Sarandë një zonë, që është speciale për Kryeministrin. Është e vetmja zonë në Shqipëri që ka 17900 zgjedhës, nga rreth 23 360 zgjedhës që ëshë mesatarja e Republikës për çdo zonë zgjedhore.

Zoti Gjana, mund të na bëni një krahasim të hartës elektorale të propozuar së fundmi me atë të vitit 2000.

Ka ndryshime të shumta, sepse janë ndryshime që i detyron edhe vetë numri mesatar i zgjedhësve, të bazuar në tre kritere, si në numrin e popullsisë, në numrin e votuesve faktikë të vitit 2000, 2001 dhe 2003 dhe bazuar në listat e zgjedhësve të vitit 2001 dhe 2003-it. Kjo ka nxjerrë një mesatare, e cila të detyron pastaj të bësh rikonfigurime. Janë bërë gjithashtu rikonfigurime, sepse nuk ka më komuna që të kenë kaluar nga njëri qark në tjetrin, ose komuna të ndara përgjysmë, siç ka pasur përpara, për shembull. Në ndarjen ekzistuesej komunat e rrethinave të Shkodrës kanë qenë të ndarë në dy ose tre pjesë, tani do të jetë në një bllok më vete dhe përbën një zonë elektorale. Nuk ka bashkime të tilla, për shembull, siç ka pasur në zgjedhjet e kaluara, ose në zonat ekzistuese, ku komuna e Mirasit në Korçë, që është ngjitur me Kapshticën, të bashkohesh me pjesën e komunës së Zvoranit, që është ngjitur me qytetin e Korçës. Kalime të tilla nuk janë lejuar. Ose nuk do të bashkohet më Hasi me pjesë të disa komunave të Kukësit, që janë ngjitur me Kalanë e Dodës, kufi me Dibrën, duke lënë qytetin e Kukësit dhe gjithë pjesët e tjera. Janë bllokuar si të thuash formulime apo ndërtime të tilla zonash, që ishin bërë me qëllim të caktuar që të fitoheshin lehtësisht nga njëra palë ose nga pala tjetër.

KQZ-ja nga ana e saj është ankuar për bllokim të punës. Pas përfundimit të ndarjes zgjedhore çfarë detyrash duhet të plotësojë ky insitucion për ndërtimin e infrastrukturës zgjedhore?

Unë besoj që jemi brenda afatit ligjor. Kodi i ri elektoral përcakton që ndarja e zonave të përfundojë 6 muaj përpara zgjedhjeve. Këtu nuk bëhet fjalë për një ditë, dy apo tre ditë në 6 muaj. Në qoftë se do ta konsideronim se 3 korriku është data e zgjedhjeve , ndoshta dhe 26 qershori, por për këtë ende s'ka hapësirë ligjore dhe kështu që mbetet 3 korriku data më e mundshme për të qenë datë zgjedhjesh. Kjo do të thotë se më 3 mars ne jemi brenda afatit 6 mujor të ndarjes zgjedhore. Unë e kam deklaruar më përpara dhe dua ta ripërsëris se deklaratat e kryetarit të KQZ-së për pamundësi të zbatimit të kodit elektoral, janë shenjë e keqe për zgjedhjet e ardhshme, janë kërcënim për këto zgjedhje. Afatet ligjore janë të përcaktuara në ligj, ne jemi brenda afateve ligjore kështu që ata duhet të marrin përsipër vetëm të zbatojnë ligjin, në rast të kundërt është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e këtij institucioni.

Pranimin e ndarjes së zonave nga PS-ja e konsideroni si presion të ndërkombëtarëve për këtë çështje, apo si vullnet politik të mazhorancës për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në fakt ka tre muaj debate që po zhvillohen, ndërsa ne kemi tre vjet që përpiqemi të bëjmë një ndarje të re të zonave zgjedhore, sepse ne që në fillim kemi kundërshtuar ndarjen aktuale. Socialistët e hodhën poshtë dhe ndarjen e tyre që u hartua nga një komision shtetëror, më 23 dhjetor. Unë besoj se përpjeket e Prezencës së OSBE-së dhe BE-së kanë qenë shumë pozitive dhe unë gjej rastin t'i falenderoj këta faktorë, që kanë ndikuar për të arritur në një ndarje zonale që bazohet në standarde, por që dua të theksoj që presioni i këtyre mekanizmave ka qenë faktori kryesor, që e detyroi PS-në të binte dakord për ndarjen e re zonale, dhe të firmosë marrëveshjen të hënën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›