E Shtunë, 31 Tetor 2026

Margaritar i ri i Gadafit

Në Abuja askush nuk është i ngazëllyer. Propozimi më i ri i udhëheqësit të Libisë, Moamer Al Gadafi, ka trazuar shpirtrat në kryeqytetin e Nigerisë, ndërsa kryetari i Senatit të Nigerisë e cilësoi Gadafin si të çmendur.

Gadafi kishte propozuar që konflikti në Nigeri të zgjidhet me ndarjen e këtij vendi, në jugun e krishterë dhe veriun mysliman. Nigeria reagoi menjëherë, duke e tërhequr ambasadorin e vet nga Tripolisi.

Ministria e Jashtme e Nigerisë theksoi se komentet e Gadafit janë të papranueshme-para se gjithash kur ato bëhen nga njeriu, i cili ka theksuar se angazhohet për integrimin dhe unitetin e Afrikës.

Gadafi deri së fundi ka qenë kryetar i Unionit të Afrikës dhe është angazhuar për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Afrikës.

Gadafi këto komente i bëri pas përleshjeve të fundit ndërfetare në Nigeri, kur pjesëtarët e fisit mysliman, fulani, sulmuan një fshat në afërsi të qytetit Jos, duke vrarë me këtë rast me qindra të krishterë.

Gadafi edhe më herët kishte joshur vëmendjen e opinionit ndërkombëtarë, me kërkesën e tij për copëtimin e Zvicrës. Këtë kërkesë ai e bëri, pas grindjes diplomatike ndërmjet vendit të tij dhe Zvicrës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›