E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marinarët e bllokuar në Durrës, Azerbajxhani bisedime me Shqipërinë

Anija "Premier" qëndron e bllokuar në port, ndërsa marinarët nuk lejohet që të dalin në qytet

DURRËS - Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit po ndërmerr hapa diplomatike për të liruar marinarët azerë që ndodhen në Shqipëri. Kjo është ajo çka bën të ditur agjencia azerbajxhanese e lajmeve "1neësAZ".


Në një njoftim të 26 shkurtit ajo bën të ditur se dy diplomatë të ambasadës së Azerbajxhanit në Bullgari, me porosi të ministrit të Jashtëm, Elmar Mamedjarov, u dërguan në Shqipëri për të liruar shtetasit azerbajxhanas që janë ndaluar në anijen e mallrave "Premier".


Kjo e fundit është anije mallrash gjenerale e nisur nga porti "Mersin" i Turqisë më 22 dhjetor 2009 me rreth 2000 t xhama. Ajo ka mbërritur në ujërat territoriale të Shqipërisë më 9 janar të këtij viti.


Mësohet se kjo anije menaxhohet nga një agjenci turke dhe është bllokuar në portin e Durrësit për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve. Pas bllokimit të anijes është sëmurë rëndë edhe kryemekaniku, i cili më 16 shkurt u shtrua në spital. Intigan Melikov, një nga pjesëtarët e ekuipazhit, shprehet se atyre u janë marrë dokumentet dhe s'u lejohet të dalin në qytet. Ata kanë deklaruar se kanë njoftuar të gjitha autoritetet shqiptare dhe azere dhe pas mungesave të ushqimeve kanë dhënë sinjalin SOS.


Ky sinjal është kapur nga Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit. Sipas zëdhënësit të shtypit, qeveria e Azerbajxhanit ka filluar hetimet se në çfarë kushtesh ka ndodhur incidenti i arrestimit të anijes në Shqipëri.


Një nga shkaqet, sipas agjencisë së lajmeve azere, është mosmarrëveshja financiare me kompaninë turke. Mësohet se pas mbetjes pa ushqime të marinarëve të anijes, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka ndërhyrë pranë komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq, i cili ka kërkuar nga kryqi i kuq në Durrës për të furnizuar anijen.


Furnizimi me ushqime për marinarët ka filluar më 19 shkurt. Kapiteni i anijes, Rais Israfillov, ka njoftuar në vendin e vet për një konflikt të ashpër mes marinarëve azerbajxhanas dhe atyre gjeorgjianë. Ai ka deklaruar se "mezi i kemi qetësuar gjakrat"! Përleshja fizike mësohet se ka ndodhur më 19 shkurt nga mungesa e ushqimeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›