E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, prefekti: Situata drejt përmirësimit

Cungu u shpreh se bëhet fjalë për 6300 ha të përmbytur, 74 shtëpi nën ujë, si dhe 805 të rrethuara nga uji

SHKODËR - Zona e Nënshkodrës vazhdon të mbetet nën ujë, ndërsa është vënë re një përmirësim i situatës në lagjet periferike të qytetit verior. Ka qenë kjo deklarata e bërë publike nga Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, gjatë një komunikimi për mediat në Shkodër.


Sipas tij, prurjet dhe shkarkimet nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës gjatë ditës së djeshme janë pakësuar. Ndërkohë që ka qenë në favor dhe moti i thatë dhe me diell që ka përfshirë gjithe zonën e Shkodrës.


Sipas Cungut, "aktualisht shkarkimet në Hidrocentralin e Vaut të Dejës po shkarkohen 1200m3/sek dhe kjo ka sjellë uljen e nivelit në disa nga zonat e përmbytura". Shifrat e tokave të përmbytura sipas prefektit janë: 6300 ha tokë nën ujë, 74 shtëpi të përmbytura dhe 805 të tjera të rrethuara nga uji. Ndërkohë, vazhdon të mbetet i bllokuar aksi rrugor që lidh Shkodrën dhe Velipojën nga Ura e Dedë Gjo Lulit, ku mund të kalojnë vetëm mjetet e tonazhit të rëndë. E tillë paraqitet situata dhe në komunën e Dajçit, ku rruga në drejtim të saj është e bllokuar.


"Por dhe në fshatin Obot në komunën Ana e Malit, kalimi i automjeteve të vogla është i pamundur", tha Cungu. Sipas tij, "forcat e Ushtrisë janë përqendruar në komunat e zonës së Nënshkodrës për t'u ardhur në ndihmë banorëve me evakuimin e tyre, nëse pranojnë, apo me shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Ka nisur furnizimi me ushqime dhe ujë të pijshëm për banorët e fshatit Obot të komunës Ana e Malit, disa fshatrave të komunës Dajç, në Malin e Jushit, në Bushat dhe një pjese të komunës Velipojë.


Gjithashtu po punohet për përforcimin e argjinaturës në vendet ku janë më të dëmtuara, si në fshatin Darragjat të komunës së Dajçit, në fshatin Ças të komunës Velipojë, si dhe po ndërhyhet në argjinaturën e fshatit Ashtë, ku rrezikohet gërryerja e tokës nga fryrja e lumit Drin", deklaroi prefekti.


Mësohet se të evakuarit janë strehuar në banesat e të afërmve të tyre dhe asnjë person nuk është strehuar në dy kampingjet dhe në konviktin e vënë në dispozicion nga institucionet shtetërore.

Zhbllokohet pas dhjetë ditësh aksi Selcë-Vermosh

SHKODËR - Vazhdon puna për zhbllokimin e aksit rrugor Selcë-Vermosh, ku dëbora e rënë bllokoi rreth 2000 banorë. Pas punës së Drejtorisë së Rrugëve Rurale është bërë e mundur që pas 10 ditësh izolimi të plotë ky aks rrugor të bëhet i kalueshëm. Sipas drejtorit të ndërmarrjes së rrugëve rurale në Shkodër, Gjovalin Kodra, rreth 30 km rrugë ishin të bllokuara nga trashësia e dëborës, e cila në pjesë të caktuara arrinte deri 1,3 metër dhe zhbllokimi i saj ka sjellë mjaft vështirësi.


Sipas Kodrës, "ka pasur disa vështirësi të cilat janë hasur në zhbllokimin e këtij aksi rrugor të cilat lidhen me terrenin e vështirë, megjithatë pritet që në ndihmë të mjetit të vetëm borëpastrues të vijë dhe një tjetër, për të bërë të mundur zhbllokimin e kësaj zone brenda javës së ardhshme".


Nikë Doni, banor i kësaj zone, shprehet se "rruga është bërë e kalueshme, por mjetet lëvizin ngadalë e me zinxhirë, pasi temperaturat e ulëta vazhdojnë të pengojnë shkrirjen e dëborës që këtu ka rënë në sasi të mëdha". Ndërmarrja rajonale e rrugëve rurale të qarkut Shkodër ka në mirëmbajtje 18 akse rrugore në 3 rrethet e qarkut te Shkodrës me 302 km. Mjetet e pakta dhe mungesa e fondeve e vështirësojnë mjaft punën e kësaj ndërmarrjeje, duke qenë se akset rrugore që ajo mirëmban, janë kryesisht në zonat e thella malore të këtij qarku.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›