E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksi Elbasan-Gjinar, firma ndërtuese tërheq mjetet

Për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve nga ana e shtetit, firma ka vendosur që të mos vazhdojë punimet në rrugë


ELBASAN - Një nga investimet e buxhetit të shtetit të nisura një vit më parë në segmentin Elbasan-Gjinar ka mbetur përgjysmë. Firma sipërmarrëse nuk ka marrë këstin e parave për volumin e punimeve të kryera gjatë vitit të kaluar dhe për këtë arsye ka ndërprerë punimet. Kjo rrugë që nis e vështirësohet në hyrje të Hajdaranit bëhet gati e pakalueshme prej gropave dhe rrëshqitjeve në pjesën e sipërme.


Mjetet e firmës kanë gërryer në pjesën e fillimit të rrugës asfaltin e dëmtuar duke e sheshuar, por për shkak të reshjeve, gropat janë bërë problemi më i madh i kësaj rruge ku do të duhet të lëvizin banorët e fshatrave Hajdaran, Shushicë, Mlizë, Shelcan, të komunës Gjinar dhe të komunës Zavalinë.


Për ditë të caktuara si rezultat e reshjeve rruga konsiderohet e bllokuar. Banorët thonë se vetëm mjetet e forta si fuoristradat mund t'ia dalin. Askush nuk përgjigjet për pasojat e mjeteve tona, thonë ata, duke ndjekur serinë e gropave dhe baltën që vështirë se mund të kalohet me mjete të zakonshme.


Jeta e tyre është bërë mjaft e vështirë.
Të gëzuar në prill të vitit të kaluar kur u përurua fillimi i punimeve nga kryeministri Berisha, tashmë ata shprehen të zhgënjyer dhe me shumë pikëpyetje nëse kjo rrugë do të bëhet ndonjëherë. Teksa ndjekin 22 kilometrat e vështira për në qytetin e Elbasanit, drejtuesit e mjeteve të këshillojnë që është mirë të mos udhëtohet drejt Gjinarit, nëse halli që ke nuk është aq i rëndësishëm, pasi pasojat për mjetin, por edhe për jetën mund të jenë fatale.


Drejtues të firmës kanë tërhequr shumicën e mjeteve dhe nuk thonë asnjë fjalë, por ankesat e disa prej firmave që nuk kanë marrë ende paratë e investimeve të fushatës, vazhdon të jenë prezente pranë Dhomës së Tregtisë, e cila e ka bërë prezent shqetësimin e tyre disa here.


Por, edhe pse kanë kaluar disa muaj, këto firma ende nuk i kanë marrë paratë e investimit, ndërsa banorët vuajnë pasojat e rrugëve me gropa. Fondi për këtë segment është 416 milionë lekë të reja, pasi bëhet fjalë për një rrugë nacionale, ndërkohë që komuna e Gjinarit është përcaktuar si zonë turistike.


Rasti i aksit Elbasan-Gjinar nuk është i pari kur firmat sipërmarrëse kanë tërhequr makineritë duke ndërprerë punimet. Vetëm një muaj më pare, e njëjta gjë ndodhi edhe me të ashtuquajturën "Autostrada e Luleve", në Pogradec, të cilën kryeministri Berisha e përuroi me shumë bujë. Edhe në atë rast, për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve nga ana e shtetit, firma filloi punimet, por i ndërpreu ato për shkak të mungesës së parave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›