Itali, përdhunonte të bijën, pranga shqiptarit

ABUZIMI/ Mësohet se 37-vjeçari ushtronte dhunë seksuale mbi vajzën e tij tashmë 15-vjeçare prej tre vjetësh
Vetëm vitin e kaluar vajza kishte mundur t'i tregonte së ëmës, e cila kishte heshtur duke iu druajtur të shoqit
ITALI - Ka përfunduar në pranga një 37-vjeçar shqiptar, emri it ë cilit nuk bëhet i ditur, nën akuzën e ushtrimit të dhunës seksuale të vazhdueshme mbi të bijën vetëm 15-vjeçare.
Mediat italiane bëjnë të ditur se veprimet e turpshme të të atit kundrejt së bijës kanë nisur tre vjet më parë, kur ajo ishte vetëm 12 vjeçe, por denoncimi është bërë disa ditë më parë, ndërkohë që vetëm dje në mëngjes është bërë i mundur arrestimi i babait dhunues. Vajza është larguar nga banesa, ndërsa pritet që të merret vendimi edhe nëse babai do të takojë dy fëmijët e tjerë të tij.
Ngjarja
Mësohet se 37-vjeçari me familjen e tij jetonin prej vitesh në Gravina të Puljas, rajoni i Barit. Që në kohën që vajza e tij e madhe ishte 12 vjeçe, ai kishte filluar që të kryente vepra të turpshme me të. Por ndërkohë që ajo rritej, shtohej edhe doza e dhunës seksuale që i ati ushtronte mbi të. Mësohet se vetëm një vit më parë adoleshentja kishte mundur të fliste me të ëmën duke i bërë të ditur se ç'po i ndodhte prej vitesh.
Por gruaja, nën presionin edhe të bashkëshortit, nuk ka mundur të bëjë asgjë, duke heshtur për një kohë të gjatë. Teksa ka parë që vitin e fundit situata vetëm është rënduar në dëm të së bijës, ajo i është drejtuar konsulencës së familjes, prej ku ka marrë dhe inkurajimin për të denoncuar në polici atë që po ndodhte. Si rrjedhojë, disa ditë më parë, bashkë me të bijën ajo i është drejtuar komisariatit të policisë.
Hetimi
Bëhet e ditur se janë dashur vetëm pak ditë që të bëhej koordinimi mes policisë, prokurorisë dhe gjykatës së të miturve. Hetimi në këtë rast është drejtuar nga zëvendësprokurori i Barit. Burri është arrestuar, ndërsa akuza e ngritur ndaj tij babait 37-vjeçar është "marrëdhënie seksuale me dhunë në rrethana rënduese".
Arrestimi i tij është bërë mëngjesin e së shtunës nga policia e Barit. Tashmë gjyqtarëve që merren me të miturit do t'iu duhet të vendosin nëse babai do të quhet i tillë për adoleshenten 15-vjeçare, si dhe për dy fëmijët e tjerë, përkatësisht 14 dhe një vjeç. Mësohet se vajza e dhunuar është larguar nga shtëpia dhe është çuar në një vend të posaçëm, në mënyrë që psikologët të mund të kujdesen për të për t'iu kthyer jetës normale.