E Diel, 1 Nëntor 2026

Maroni pret Bashën: Shqiptarët,pa viza në BE brenda këtij viti



Bashkimi Europian do të heqë vizat me Shqipërinë brenda këtij viti. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, gjatë një takimi të zhvilluar në Romë me homologun e tij shqiptar, Lulzim Basha. "Shpreh bindjen se qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen brenda këtij viti", u shpreh zyrtari i lartë i Qeverisë italiane. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit "Ministri i Brendshëm italian duke vlerësuar hapat e mëdhenj të Shqipërisë në përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë të tij dhe të Qeverisë italiane për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti". Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Basha, vlerësoi rolin e ministrit Maroni, që së bashku me ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE, morën në shqyrtim pa asnjë vonesë dhe mbështetën propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. "Gjatë takimit ministri Basha informoi homologun italian, Maroni, për një sërë masash që janë marrë dhe po ndërmerren nga Qeveria shqiptare në kuadër të proceseve integruese në BE. Ministri Basha informoi ministrin Maroni se, Qeveria shqiptare ka miratuar strategjinë për riintegrimin e të riatdhesuarve si dhe ngritjen e funksionimin e njësisë për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, e po kështu e njohu me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbi luftën për parandalimin e kultivimit të kanabisit si dhe për funksionimin me sukses të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare", thuhet më tej në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme shqiptare. Nga ana e tij ministri Maroni theksoi në takimin me homologun Lulzim Basha se bashkëpunimi mes policive të të dy vendeve është tashmë në një nivel të shkëlqyer dhe se falë këtij bashkëpunimi nuk ka asnjë çështje problematike mes Italisë dhe Shqipërisë. Maroni premtoi se Ministria e Brendshme e Italisë do të japë ndihmesën e saj për trajnimin dhe shkëmbimin e përvojës për personelin policor shqiptar, që angazhohet për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale. "Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, ranë gjithashtu dakord në takim për të nënshkruar së afërmi një marrëveshje për mbrojtjen e dëshmitarëve", thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›