Nafta, a është Shqipëria Gjiri i ri Persik
Shqipëria si destinacioni i ri për nxjerrjen e naftës. Revista prestigjioze amerikane, "Forbes", i kushton një shkrim të veçantë vendit tonë, duke ngritur pikëpyetjen nëse është Gjiri i ri Persik, sa u përket potencialeve që ka në aspektin e pasurive natyrore, sidomos naftës. Për këtë "Forbes" ka marrë mendimin e Marin Katusa, shef i hartimit të strategjive investuese për divizionin energjetik, Casey Research. Katusa ka kryer një sërë ekspeditash kërkimi në vendin tonë së bashku me skuadrën e tij dhe del në përfundimin që Shqipëria është një vend me potenciale dhe me fitim të sigurt për investitorët.
REPORTAZHI
Pas një të kaluare me peripeci, Shqipëria, e pasur me minerale, po përpiqet të modernizohet duke u kthyer në një vend të mirë për zhvillimin e biznesit... dhe një sukses mahnitës. Përgjatë viteve e kemi vizituar Shqipërinë më shumë herë sesa ne na intereson ta pranojmë. Edhe pse nuk është një vend që do ta rekomandonim për pushime me familjen, dollarët tuaj për investime do të gjenin vendin e përshtatshëm. Ndryshe nga historia e saj e paqëndrueshme e këtij vendi, historitë e fundit për zhvillimin e naftës janë të destinuara të kenë një fund shumë më të lumtur.
Diamant i papunuar
Shqipëria, me një sipërfaqe sa Masachusets, rrethohet nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Deti Adriatik. Sa i përket GDP-së, lë pas vetëm Moldavinë me 6.300 dollarë për frymë, shumë larg Amerikës me 45,800 dollarë për frymë, madje edhe larg Greqisë, që aktualisht ekonomia e saj lë shumë për të dëshiruar. Mungesa e energjisë së qëndrueshme dhe infrastrukturës së transportit është pjesërisht përgjegjëse për shifrat keqardhëse. Zonat jashtë kryeqytetit Tiranë, dhe Durrësit, një port i madh, akoma vuajnë eksperienca të mungesës së energjisë. Hekurudhat janë të kufizuara dhe ndërkohë që vetëm qytetet e mëdha lidhen me to, rrugët dytësore janë relativisht të vështira për t'i përshkruar dhe për të mbërritur në destinacion fillimisht duhet të pyesësh.
Në kërkim të rrugës së drejtë
Shqipëria sot nuk është pa probleme. Rrugët në total janë 7 mijë kilometra dhe hekurudhat 900 kilometra. Ky vend importon energji dhe shumicën e mallrave industrialë. Papunësia është e lartë dhe më shumë se gjysma e popullsisë janë të lidhur me agrikulturën. Marrëdhëniet me Serbinë, Rusinë dhe Kinën kanë qenë të tendosura që kur Kosova, një rajon me etni shqiptarë, u shkëput nga Serbia në vitin 2008. Brenda vendit partitë politike janë pak komunikuese: opozita kryesore bojkotoi Parlamentin në qershor 2009, duke akuzuar partinë në pushtet për manipulim të zgjedhjeve. Në frontin e biznesit, Shqipëria ende nuk e ka ndërtuar kornizën e saj rregullatore. Në fakt, Banka Botërore në raportin "Doing Bussines" e renditi Shqipërinë në vendin e 173 nga 183 vende, kjo duke iu referuar lejeve të ndërtimit bazuar tek të dhënat qershor 2008-maj 2009. (Pavarësisht kësaj, në raportin "Lehtësia e të bërit biznes" u rendit e 82-ta. Në fund, Shqipërisë i mungojnë gazsjellësit, sidomos në veri, një mungesë e eksplorimit dhe zhvillimit për naftën dhe gazin: Në këtë pikë... pse Shqipëria? Aktualisht në këtë vend janë disa aspekte atraktive në panoramën e gëzueshme që ne kemi projektuar deri tani. Për një gjë, duket kemi akoma për të shtuar lidhur me potencialin e hidrokarbureve në Shqipëri. E kombinuar me përmirësime graduale në strukturat e saj politike, financiare dhe sociale, Shqipëria ofron një sërë avantazhesh investimi për investitorët tolerantë ndaj riskut që synojnë të arrijnë shpejt sukses. Janë një sërë avantazhesh që shohim në këtë vend, të cilat i kemi konkluduar pas një sërë udhëtimesh dhe analizash të bazuara në kërkime.
Avantazhet
-Marrëdhënia pro amerikane: Politikisht Shqipëria është aleat i afërt i SHBA-ve dhe shqiptarët në përgjithësi kanë tendencën të jenë shumë të dhënë pas Amerikës. Shumë prej tyre shohin Bill Klintonin si hero për shpëtimin e kosovarëve gjatë luftës në këtë vend. Të kesh një qeveri dhe një popull pro amerikan dhe pro perëndimit do të thotë që ke pak mundësi për ndonjë nacionalizim të papritur, luftë civile apo grusht shteti.
-Qeverisje stabël dhe pro biznesit: Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka qenë relativisht i qetë në punën e tij dhe ka një reputacion të mirë lidhur me distancat politike. Polemika më e madhe që shkakton ai është qëndrimi por Kosovës, që në përgjithësi zemëron Serbinë dhe Rusinë. Disa nga përmirësimet që vihen re gjatë presidencës së tij janë: thjeshtësimi gradual i rregullave administrative dhe të biznesit, ulja e taksave, çlirimi i shumicës së bizneseve nga TVSH-ja, akses më i lehtë tek financimi, ligje që sigurojnë mbrojtje më të madhe për investitorët.
-Përmirësime në infrastrukturë: Me përmirësimet në ekonominë shqiptare kanë ardhur edhe ato në transport dhe tregti. Ka një autostradë të re përgjatë bregdetit dhe një tjetër që lidh Durrësin, portin kryesor të vendit me Ballkanin Qendror përmes Kukësit. Infrastruktura është fokusi primar i qeverisjes aktuale, pasi Qeveria e ka kuptuar që tërheqja e sa më shumë investimeve të huaja kërkon ndërtimin e një rrjeti më modern për lëvizjen e njerëzve dhe të mirave materiale përreth.
Prodhim të hershëm të hidrokarbureve: Historia e Shqipërisë me naftën daton 2000 vjet më parë, kur romakët kërkonin për bitum në jugperëndim( Apolonia, sot Fieri) për të lyer anijet e tyre. Shpimet e para janë bërë në fillim të viteve 1900, me "Rockfeller Standart Oil" dhe paraardhës i BP, një kompani nafte anglo-persiane, udhëheqëse e zgjerimit të industrisë së naftës në Shqipëri. Në 1932, zona më e madhe evropiane e pasur me naftë u zbulua në Patos-Marinza, ku tani operon "Bankers Petroleum". Prodhimi i naftës filloi të zbehet gjatë udhëheqjes së varfër të Hoxhës në periudhën e komunizmit.
-Strukturë e mirë fiskale për naftën: Shqipëria ka përmirësuar strukturën e saj fiskale gjatë dekadës së shkuar. Ajo uli prodhimin duke hartuar marrëveshje, për shembull duke lënë më shumë përfitime për biznesin që t'i investojë ato.
Shpërblime potenciale: Në 2008, "Manas Petroleum" me bazë në Zvicër anonçoi se nëntoka ka rreth 3 miliardë fuçi naftë dhe 3 bilionë metër kub gaz natyror në thellësi. Kjo është një sasi e madhe nafte. Një tjetër histori suksesi është "Bankers Petroleum". Qartësisht shohim potenciale për të bërë para në Shqipëri, pavarësisht risqeve dhe vështirësive të mëdha. Fatmirësisht për ne analistët jo shumë kompani po operojnë në këtë vend aktualisht. Ky numër ulet edhe më shumë kur fokusohemi tek kompaninë e Amerikës së Veriut.
Banka Botërore: Shqipëria, kujdes me borxhin
Banka Botërore ka bërë një tjetër rishikim të parashikimit të të dhënave, sa i përket rimëkëmbjes nga kriza të vendeve të Europës. Në këtë raport theksohet se janë një seri vendesh që rrezikohen nga borxhi publik dhe mes tyre bën pjesë edhe Shqipëria. BB vëren se niveli i lartë i këtij borxhi shoqërohet me probleme. Në të njëjtën situatë janë edhe Bullgaria, Rumania dhe Serbia. Pjesa tjetër që shihet si e rrezikshme është lidhja që ka Shqipëria me vendet që po kalojnë vështirësi financiare. Në këtë pikë gjithçka i referohet krizës greke, e cila përveçse është një partner tregtar potencial është edhe një burim të ardhurash nga remitancat që dërgojnë emigrantët. Por tashmë një pjesë e tyre mund të mbeten pa punë, për shkak të krizës që ka përfshirë vendin, çka do të thotë akoma më pak remitanca për Shqipërinë.