E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhëniet Qeveri-Biznes dhe ekonomia informale

Anastas Angjeli

Një nga faktorët e rëndësishëm për zhvillimin e suksesshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik dhe me ndikim të dukshëm në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e nivelit të jetesës në vend, është dhe mbetet edhe krijimi i një ambienti sa më të përshtatshëm për zhvillimin e sektorit privat, të biznesit ...në vendin tonë, si dhe vendosja dhe zhvillimi pozitiv i raporteve Qeveri–Biznes. Nga ana tjetër, përmirësimi i vazhdueshëm i klimës së biznesit dhe marrëdhënieve Qeveri-Biznes mbi baza ligjore, ka një ndikim të konsiderueshëm në instalimin dhe konsolidimin e ekonomisë së tregut dhe të reduktimit gjithnjë e më të madh të ekonomisë informale. Padyshim që këtu, në këto raporte dhe zhvillime, krahas rolit që luan iniciativa e individëve për zhvillimin e sektorit privat, një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur qeverisja (e mirë apo e keqe) përmes krijimit të kushteve dhe hapësirave të nevojshme, për zhvillimin e lirive ekonomike. Kjo përmes krijimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor sa më të përshtatshëm, veçanërisht atij ekonomik e fiskal, krijimit të lehtësive administrative, vazhdimit të reformave rregullatore dhe  shumëfishimit të përpjekjeve për reduktimi të vazhdueshëm të informalitetit në ekonomi.
 Aq të vërteta janë këto sa që për vendet e zhvilluara demokratike tashmë është shndërruar në postulat fakti që “Qeverisja e dobët (keqqeverisja) ndikon negativisht në mjedisin e biznesit dhe shkurajon investimet e brendshme dhe të huaja në ekonomi (duke penguar zhvillimin ekonomik e social). Mirëqeverisja ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe zgjerimin e lirive ekonomike”. Gjithashtu, eksperienca e zhvillimit të këtyre vendeve ka treguar e vërtetuar se “...kur qeveritë kufizojnë popullin e tyre, sjellja e tyre (qytetarëve, biznesit, mediave, shoqërisë civile) ndryshon jo për mirë dhe reagimi i tyre rritet”.
Raportet Qeveri-Biznes nuk po përmirësohen
Por çfarë ka ndodhur në fakt gjatë këtyre gati tre viteve qeverisjeje? A është përmirësuar ambienti i biznesit? A janë zgjeruar më tej apo janë ngushtuar liritë ekonomike? A i kanë shërbyer masat e marra (ligjore dhe administrative) këtyre objektivave dhe reduktimit të informalitetit.
Hapat e ndërmarrë dhe realiteti i çështjes së “ambientit të biznesit”, përgjithësisht dëshmojnë se progresi në këtë fushë ka qenë shumë i ngadaltë dhe në mjaft aspekte frenues. Më konkretisht, ndër hapat dhe momentet më të rëndësishme të ndërmarra gjatë kësaj periudhe mund të përmenden:
1 - Miratimi dhe fillimi i zbatimit të ligjit “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Regjistrit Tregtar”. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se në funksion të  pakësimit të pengesave administrative, kjo masë ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e ambientit të biznesit.
2 – Bashkimi i tre institucioneve në ndihmë të zhvillimit të biznesit vendas dhe të huaj, Agjencisë së Investimeve të Huaja, (ANIH), Agjencisë së Nxitjes së Eksporteve (ANE) dhe asaj të nxitjes së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (SME) në një agjenci të vetme ALBINVEST, që u konsiderua si një ndryshim strukturor, që do të ndikonte pozitivisht, realisht deri më sot, po dëshmon se ka mbetur një institucion anemik, pa asnjë efekt pozitiv real dhe praktik, në funksion të përmirësimit të ambientit dhe nxitjes së biznesit, rritjes së investimeve të brendshme dhe të huaja direkte në ekonomi (në sektorin privat)..
3 - Zbatimi i ligjit “Për zonat e lira” e sidomos propagandimi i madh i bërë për ndërtimin dhe zhvillimin e parqeve industriale, ka mbetur vetëm një dëshirë tërësisht populisto-burokratike duke mos shënuar asnjë zhvillim pozitiv. (Për hir të së vërtetës edhe gjatë qeverisjeve socialiste në këtë drejtim nuk u shënua asnjë progres).
4 - Politika fiskale, legjislacioni fiskal dhe masat kryesore, të marra në këtë fushë, përgjithësisht kanë ndikuar negativisht dhe në frenimin e zhvillimit dhe të përmirësimit të klimës së biznesit dhe konkretisht:
a - Miratimi dhe zbatimi i të ashtuquajturit ligji i Gjobave, që në thelbin e vet bazohet në parapagimin e 15 % të gjobës (vlerës) para ankimimit. Ky ligj ka ndikuar dhe pritet të ndikojë negativisht në klimën dhe zhvillimin e lirisë ekonomike të biznesit, duke shtuar arbitraritetin dhe “dhunën” ndaj tij.
b - Miratimi dhe zbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore që detyrojnë vendosjen dhe aplikimin e çmimeve të referencës në 4 mijë artikuj të konsumit, si dhe zbatimin e referencave edhe në vlerësimin e tatimit mbi fitimin.
c - Aplikimi i pagave të referencës në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Këta dy elementë (këto dy masa b+c), pasojë e mentalitetit të vjetër dhe të filozofisë dhe politikave centralizuese nuk kanë dhënë ndonjë rezultat pozitiv as në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe nuk munden të shndërrohen në instrument efikas për formalizimin e pjesës informale të ekonomisë.
d - Zbatimi i taksës së sheshtë, është një masë që ende nuk ka filluar t’i japi efektet e saj, prandaj dhe gjykimi mbi rolin e saj, nuk mund të bëhet ende, deri në fund të këtij viti.
e - Politikat dhe masat fiskale të ndërmarra në fushën e pronësisë, sidomos politika fiskale në fshat (bujqësi) është tërësisht inekzistente, anemike, duke mos ndikuar fare pozitivisht në nxitjen e punimit të tokës bujqësore, duke e lënë atë djerrë (në sipërfaqe shumë të mëdha) të zhvillimit të prodhimit bujqësor, agroushqimor dhe të reformës strukturore, në këtë sektor shumë të rëndësishëm dhe të nevojshëm të ekonomisë. (Veçanërisht në kushtet e krizës aktuale globale të ushqimeve).
Më në fund, një hap tjetër i rëndësishëm, por për fat të keq me ndikim jo pozitiv në ambientin e biznesit dhe të raporteve Qeveri-Biznes është dërgimi për diskutim e miratim në Kuvendin e Shqipërisë i ndryshimeve në p/ligjin “Për procedurat tatimore”.
Ndryshimet në  p/ligjin “Për procedurat tatimore”, jo në kahjen e duhur.
Nisur nga motivet dhe argumentet që jepen për ndryshimet e paraqitura në p/ligjin e Procedurave Tatimore, nga projekti përfaqëson dhe mbështet punën e kryer për realizimin e këtyre ndryshimeve(dhe shpenzimet e kryera për të) dhe nga objektivat dhe synimet që përpiqet të arrijë, duket se ky veprim, nuk e justifikon nismën e marrë. Kjo sepse:
Së pari: Nga pikëpamja procedurale, kohore (koha e dërgimit në Kuvend dhe afati i hyrjes në fuqi të tij) dhe e harmonizimit të zbatimit të politikave fiskale, financiare e buxhetore dhe të zhvillimit të biznesit, projekti është “nonsens”. Kjo sepse, jo vetëm në këtë rast, por edhe vitet e tjera, jo vetëm ky p/ligj, por edhe ligjet e tjera të politikes fiskale, nuk paraqiten në një kohë me p/buxhetin dhe të harmonizuar me të, por në mes të vitit, duke sjellë anomali dhe vështirësi në zbatim (kjo edhe për shkak të mungesës së kohës në përgatitjen e akteve nën/ligjore të këtij p/ligji, njohjes transparente nga subjektet private etj.,) dhe një sërë pengesash në aktivitetet e biznesit.
Së dyti: Nga pikëpamja e zgjerimit të lirive dhe krijimit të më shumë hapësirave (natyrisht ligjore) për zhvillimin e biznesit dhe përmirësimin e marrëdhënieve Qeveri–Biznes, me ndryshimet e propozuara ndodh e kundërta (përmes të drejtave, kompetencave dhe përgjegjësive që u jepen organeve tatimore, ndryshimeve në administrim, procedura dhe mënyrën e deklarimeve) rritet arbitrariteti deri në agresivitet i organeve fiskale dhe shtohet “asfiksia” në veprimtarinë e biznesit.
Së treti: Nga pikëpamja e ristrukturimit të administratës tatimore, përgjithësisht projekti nuk sjell ndonjë gjë të re për ta bërë atë më eficente, në zbatimin e politikave fiskale në dobi të zhvillimit të ekonomisë në përgjithësi, të sektorit privat në veçanti dhe rritjes së mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Së katërti, çka është konsideruar si një motiv i rëndësishëm për ndryshimet në këtë p/ligj dhe në aktet e tjera ligjore fiskale që janë miratuar dhe po zbatohen (që u theksuan më sipër), është reduktimi i mëtejshëm i ekonomisë informale, evazionit fiskal etj. Parë në këtë aspekt (pavarësisht se p/ligji nuk është miratuar dhe duhet pritur të zbatohet) dhe në harmoni me efektet që kanë dhënë ligjet e tjera të paketës fiskale që po zbatohen (pasi ligji i Procedurave Tatimore përbën ligjin bazë të gjithë legjislacionit tatimor, është një lloj kodi), pa e paragjykuar, nuk ka shumë shpresa, se edhe në këtë drejtim do të japi efekte pozitive.
Kësisoj, çështja e ekonomisë informale dhe reduktimi i saj ka qenë dhe mbetet një problem i rëndësishëm dhe shqetësues. Edhe në vlerësimin e fundit të raportit të OKB-së Shqipëria renditej në vendet me informalitet të lartë në ekonomi, dëshmi e faktit që politikat, legjislacioni dhe zbatimi i tij, veçanërisht atij fiskal, janë ende larg së qënit eficente. Rrjedhimisht, ky aspekt përbën një moment tjetër të rëndësishëm, me ndikim jo pozitiv në klimën dhe zhvillimin e biznesit, të reformave dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
* * *
 Politika fiskale aktuale, zbatimi i legjislacionit fiskal dhe ndryshimet e propozuara në p/ligjin e Procedurave Tatimore, me sa duket nuk janë në kahjen e duhur dhe nuk pritet që efektet e tyre të jenë pozitive në drejtim të përmirësimit të ambientit të biznesit, përmirësimit të raporteve Qeveri-Biznes dhe të uljes së informalitetit të ekonomisë. Përmirësimet në këtë fushë, në vazhdimin e reformave ekonomike e fiskale dhe krijimi i kushteve për zhvillim të mëtejshëm, të qëndrueshëm ekonomik e social në vend, kërkojnë reflektim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›