Shqiptarët: Kemi një shekull që e prisnim këtë vizitë
Drejtuesit lokalë të komunave të Serbisë me shumicë shqiptare u shprehën entuziastë për vizitën e zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi për mediat se prej gati një shekulli po pritej në këtë zonë një vizitë e një përfaqësuesi të tillë të lartë të shtetit shqiptar. “Kanë kaluar më se 97 vite që nuk ka shkelur ndonjë zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare këtu. Data 12 mars do të shënohet si datë historike”, shprehet drejtuesi i komunës nën shtetin serb. Ndërsa drejtuesit lokalë të Komunës së Bujanovcit u shprehën se vizita e zëvendëskryeministrit Meta mund të konsiderohet si historike. Kryetari i Kuvendit të Bujanovcit, Jonuz Musliu, duke vlerësuar domethënien e kësaj vizite historike, u shprehën se marrëdhëniet që Shqipëria po ndërton me Serbinë, u shton shpresat shqiptarëve këtu për të ardhme më të mirë e më të begatë. Nga ana e tij, Meta deklaroi se është vetëm hera e parë dhe kjo është një rrugë tashmë e hapur falë bashkëpunimit gjithnjë e më të mirë që ka qeveria e Shqipërisë me qeverinë e Serbisë. “Kohët në Ballkan kanë ndryshuar dhe një erë e re ka filluar. Vizioni dhe kurajoja që tregoi Zoran Xhinxhic, i cili e futi këtë vend në një rrugë demokratike dhe europiane, një rrugë e cila vazhdon pavarësisht nga vështirësitë dhe që do të përparojë”, theksoi Meta në fjalën e tij. Entuziazmi i banorëve të zonës dhe përfaqësuesve lokalë të këtyre komunave u tregua qartë edhe në pritjen e ngrohtë dhe emocionale që ata i rezervuan ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta.
#