E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Deklaratat e opozitës, të pamatura

Padia e PS-së

INSTAT-i reagoi dje ndaj deklaratës së Partisë Socialiste për të bërë padi penale për mashtrim të opinionit, duke dhënë të dhëna të sakta. Drejtuesja e këtij institucioni, Ines Nurja, ftoi të gjithë drejtuesit, analistët apo cilido tjetër individ që hedh dyshime mbi shifrat, përpara se të bëjnë deklarata të pamatura dhe që cenojnë imazhin e INSTAT-it, si dhe vendit tonë përballë publikut shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë, të vijnë në INSTAT dhe të shohin shifrat, metodologjinë e përdorur dhe çdo gjë tjetër që ata kanë nevojë për t’u qartësuar mbi realitetin e shifrave që INSTAT-i prodhon. “E kam shprehur dhe herë të tjera dhe po e ritheksoj dhe sot, ejani në INSTAT dhe shihini me sytë e tuaj mbledhjen e të dhënave, metodologjinë e përdorur dhe çdo gjë tjetër që do t’ju qartësojë mbi të dhënat statistikore. Nga ana tjetër, puna e INSTAT-it është e vlerësuar maksimalisht nga dy institucione ndërkombëtare, të cilat monitorojnë punën tonë me imtësi gjatë gjithë vitit”, u shpreh Nurja. Por pas kësaj deklarate reagoi sërish Partia Socialiste, përmes deputetit Ilir Beqja. Ai tha se ka katër muaj që Instituti i Statistikave nuk është në gjendje t’u tregojë shqiptarëve sa janë shtrenjtuar shpenzimet shëndetësore, sepse vetë pranon se nuk e di sa janë të siguruar e të pasiguruar në Shqipëri. “Prej disa javësh, në tejkalim të afateve ligjore, INSTAT-i nuk u tregon shqiptarëve se cili është volumi i tregtisë me pakicë në vitin 2009. Prej disa javësh, në tejkalim të afateve ligjore, INSTAT-i nuk u tregon shqiptarëve se sa është papunësia, të paktën ajo zyrtare, në vitin 2009. Rasti i fundit dhe më skandaloz, është loja me inflacionin”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›