Vizita e Fule-s, mundësi për rikthimin e opozitës në Kuvend
Palët politike në vend duket se do të ribashkohen së shpejti në sallën e Parlamentit si pasojë e vizitës që komisioneri për zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fule, do të zhvillojë javën tjetër në Tiranë. Përveç takimeve me krerët e lartë të vendit, duket se komisioneri Fule do të kërkojë, t’ju japë edhe një mesazh bashkëpunimi deputetëve shqiptarë. Ky mesazh, në lidhje me sfidat që po përball vendi në kuadër të integrimit, pritet të jetë një mundësi e mirë për të rimbledhur në sallën e Parlamentit të gjithë deputetët. Por ende nuk dihet nëse Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të mbledhë seancën e radhës parlamentare më 19 mars, datë e cila përkon me ditën e parë të vizitës së Fule-s në Tiranë. Duke u nisur nga rendi normal i punës se Kuvendit, seanca plenare e javës do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 18 mars, por vizita e drejtuesit të lartë të Komisionit Europian mund ta shtyjë seancën e radhës një ditë më pas. Ende nuk dihet nëse Partia Socialiste do të vendosë të marrë pjesë në këtë seancë, por prania e komisionerit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, pritet të jetë një shtysë e madhe për ta bërë opozitën të ulet në vendet që i takojnë në Parlament. Prej kohësh, PS-ja e ka kushtëzuar praninë e saj në Parlament me shqyrtimin e nismave që ajo ka depozituar për hetimin e zgjedhjeve parlamentare. Por një seancë e veçantë ku Fule do të mbajë fjalën e tij, mund të bëhet shtysë e mirë për pjesëmarrjen e opozitës në sallën e Parlamentit. Burimet diplomatike sqaruan për gazetën se komisioneri ka programuar takime me krerët më të lartë të vendit. Fule pritet të bashkëbisedojë në këtë vizitë me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Mesazhet që ai pritet të përçojë në Tiranën zyrtare janë edhe vendimtare për çështjet integruese të Shqipërisë. Vendi ynë aktualisht është duke punuar për kthimin e përgjigjeve të pyetësorit të Bashkimit Europian, në lidhje me kërkesën që është bërë nga pala shqiptare për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Sipas Kryeministrit Berisha, përgjigjet do të jenë gati në mesin e muajit prill dhe do t’i dërgohen pa humbur kohë Komisionit Europian, i cili nëpërmjet tyre pritet të njohë edhe më thellë ecurinë me reformat në vend. Nisur nga parashikimet e bëra nga drejtuesit e lartë në vend, Shqipëria pritet ta marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian në fundin e këtij viti. Shqipëria këtë vit pret edhe procesin e liberalizimit të vizave me vendet e BE-së. Nisur nga këto pritshmëri dhe sfida të mëdha, vizita dhe mesazhet që pritet të sjellë komisioneri europian për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Stefan Fule, do të kenë rëndësi të madhe jo vetëm për klasën politike në vend, por edhe për qytetarët shqiptarë.
#