Topi, Berisha e Topalli në një avion
Aristir Lumezi
Delegacioni zyrtar shqiptar do të niset sot drejt Kehl-Strasburgut për në Samitin e NATO-s. Mësohet se në përbërje të delegacionit shqiptar do të jenë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj dhe kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi. Delegacioni shqiptar do të niset rreth orës 11:30 me një avion çarter, duke shkelur në këtë mënyrë dhe protokollin e shtetit, sipas të cilit për arsye sigurie, nuk lejohen dy drejtues të shtetit të udhëtojnë me të njëjtin avion. Në këtë rast në udhëtim drejt Samitit të NATO-s udhëtojnë tre përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe qeverisë, Topi, Berisha dhe Topalli. Por samiti i NATO-s e lë shtetin në duart e zëvendëskryeministrit Pollo, deri në datën 5 prill kur do të kthehet dhe delegacioni zyrtar shqiptar. Edhe herë të tjera vendi është “braktisur” nga krerët e shtetit, por në këtë rast, një ikje e tre krerëve është e detyrueshme nga ngjarja e madhe për të gjithë shqiptarët. Në samitin e Aleancës me rastin e 60-vjetorit të krijimit, Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha do të përfaqësojnë për herë të parë Shqipërinë me të drejta të plota të anëtarit, në krah të 27 vendeve të tjera anëtare të NATO-s.
Programi i samitit
Delegacioni shqiptar do të pritet në Kehl nga kancelarja gjermane Angela Merkel e më pas të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive anëtare, do të marrin pjesë në darkën e punës që shtrohet në çdo samit ku diskutohen vizionet e së ardhmes të NATO-s. Ky do të jetë edhe samiti i parë i NATO-s edhe për presidentin amerikan Barak Obama dhe sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Darka do të hapet nga një fjalë përshëndetëse e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Scheffer.
Në datë 4 prill, të gjithë presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të NATO-s do të përshkojnë urën “Passerelle de deux Rives”, mbi lumin Ren, i cili ndan Gjermaninë nga Franca. Përtej urës, përfaqësuesit e lartë të vendeve anëtare do të priten nga presidenti francez, Nikola Sarkozi, i cili i uron mirëseardhjen për të vazhduar më tej me samitin në 60 vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut verior. Samiti do të hapet nga sekretari i Përgjithshëm Scheffer, do të përshëndetet nga presidenti francez, kancelarja. Në këtë seancë do të bëhet edhe zyrtarizmi i Shqipërisë dhe Kroacisë si anëtaret më të reja të Aleancës dhe pas takimit do të jetë sekretari i përgjithshëm Scheffer, që do të japë konferencës e zakonshme për shtyp. Mësohet se dy vendet ballkanike, Shqipëria dhe Kroacia janë me fat, pasi do të ndalojë për një periudhë zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj.
delegacioni
Presidenti Bamir Topi
Kryeministri Sali Berisha
Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli
Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha
Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa
Krerët e grupeve të PS e PD
Valentina Leskaj
Astrit Patozi
NATO, debat për sigurinë në Kuvend
Partia Demokratike e cilësoi si një arritje të madhe anëtarësimin në NATO, duke theksuar se “kjo u arrit si rezultat i reformave të ndërmarra nga ana e qeverisë”. Zëdhënësi i grupit të PD-së shtoi se, “NATO është përgjigjja më e mirë për nihilizmin që mbizotëron si një alternativë opozitare. S’kish asnjë arsye që duhet të nxiste anëtarësimin tonë. NATO nuk është një dhuratë, NATO është shumë e rëndësishme për t’u bërë dhuratë, kemi merituar anëtarësimin në NATO”. Ndërsa socialisti Erjon Braçe deklaroi se çështja e sigurisë është primare për vendin. “Ajo për të cilën ne kemi folur në Kuvend është siguria që ofron qeveria. Dhe jo thjesht si siguri në kushtet e mbrojtjes nga Policia e Shtetit, për të cilën folën kolegët këtu pak më parë, por siguri që ofrohet nga të gjitha institucionet e këtij vendi”, tha Braçe. Sipas socialistit, një tjetër problem është çështja e pronës në vend. Deputeti socialist Pirro Lutaj, duke u fokusuar te siguria, u shpreh se në sektorët kyç të rendit janë vendosur njerëzit e kryeministrit. “Shoferin e kryeministrit Berisha zotërinj kolegë e kemi me gradën major, siç kishim dikur shoferin e shokut Enver me gradën Kolonel. 20 për qind e efektivit të Gardës nuk janë të emëruar në detyra funksionale, por janë të komanduar me qëllim që të përdoren sa andej-këndej, jo për interesa të detyrës”, u shpreh deputeti Pirro Lutaj. Ministri i Rendit, Bujar Nishani, replikoi duke u shprehur se tani nuk është më koha kur ish-gardistët në poste të larta bënin trafik droge dhe femrash.
“Edhe në radhët e Policisë se Shtetit, edhe në radhët e Gardës nuk ka më as trafikantë droge, as trafikantë femrash dhe as persona, të cilët ndaloheshin në pikat e kalimit kufitar të Bashkimit Evropian me pasaporta të falsifikuara”, tha Nishani.
NATO, qeveria dhe bashkia me dy mitingje të ndryshme festive
Qeveria dhe Bashkia e Tiranës festojnë me dy mitingje të ndryshme anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Edhe këtë ngjarje të rëndësishme, opozita dhe maxhoranca do e festojnë të ndara. Kështu, Bashkia e Tiranës ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen koncertit të madh festiv, në datën 4 prill, ku do të marrin pjesë grupet muzikore më të dëgjuara në vend. Në këtë koncert do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë dhe partitë e tjera të opozitës. Ndërkohë, një tjetër koncert i madh do të zhvillohet në datën 5 prill, nga qeveria. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, do të organizojë një koncert të madh festiv me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Fillimisht delegacioni zyrtar qeveritar do të ketë një pritje madhështore në aeroportin “Nënë Tereza”. Më tej, do të zhvillohet një mbledhje qeverie ku kryeministri do të informojë kabinetin e tij për samitin e NATO-s. Rreth orës 19:00 i gjithë kabineti qeveritar do ti drejtohet sheshit “Skënderbej” ku do të zhvillohet një koncert i madh festiv me rastin e anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO. Në këtë koncert do të marrë pjesë dhe grupi i njohur i popit botëror “UB 40”. Përveç qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, ftesat për këtë koncert u janë shpërndarë të gjithë deputetëve të Kuvendit, edhe atyre të opozitës.