Spiropali: Pse lashë MJAFT-in për PS-në
Ish-drejtore e politikave në Lëvizjen “Mjaft”, Elisa Spiropali i është bashkuar Partisë Socialiste. Ajo shprehet se është paragjykuar për këtë lëvizje dhe e sheh atë si një vendim personal të saj dhe shprehet se “nuk mund të rri në një vend përgjithmonë, si kolltukofagët e Nolit”. Ajo e sheh PS si partinë ku mund të japësh kontribut dhe të realizosh ambiciet e tua, por në kohën e duhur.
Ju jeni larguar nga “Mjaft”, duke iu bashkuar Partisë Socialiste e duke pasuar kështu ish-drejtuesit e mëparshëm të kësaj lëvizjeje, që kanë krijuar parti në koalicion me PS-në. Si e shpjegoni këtë fenomen si dhe fenomenin tjetër që nuk kemi drejtues të “Mjaft” që t’i jenë bashkuar PD-së?
Nuk pranoj të relativizohem në asnjë mënyrë. Unë jam njeri i lirë i pangjashëm me asgjë, që jetoj në një vend të lirë dhe di çfarë bëj, pse e bëj dhe kur e bëj. Ndërkohë që Shqipëria ndryshon me shpejtësi marramendëse, si mund të mos ndryshoj unë që jam një individ i vetëm. Në fund të fundit nuk ka asnjë normë të asnjë lloji, ligj a kanuni, të më detyrojë të bëj gjithë jetën të njëjtën gjë. Të njëjtën gjë gjithmonë dinë të bëjnë vetëm kolltukofagët, ata që Pastori Noli i përshkroi si krimba të verdhë të fatkeqësive kombëtare. Rasti i afrimit me të majtën e politikës të disa prej ish-drejtuesve të MJAFT-it, bashkë me rastin tim, janë pak, bilanc krejt i pamjaftueshëm për të dalë në konkluzione të sakta dhe të qarta. Prandaj pretendimet e deritanishme të ca kolltukofagëve nga ata që bëjnë gjithë jetën të njëjtën gjë, janë të pasakta dhe të paqarta, përgjithësuese dhe paragjykuese. Brenda politikës sonë ka plot raste të zhvendosjeve të befasishme vështirësisht të kuptueshme. Nuk është aspak e drejtë që arkitektet e këtyre zhvendosjeve qëllim-këqija ta servirin lëvizjen time dhe të disa të tjerëve duke e parë nga këndi i përvojave të tyre. Prandaj them se është e padrejtë që edhe unë, Erioni dhe të tjerët, të gjykohemi apo përgojohemi në bazë klishesh të tilla. Nuk ka ndodhur që dikush nga MJAFT-i t’i bashkohet Partisë Demokratike, po ashtu si nuk ka ndodhur që qysh prej tre ditësh nuk po bie shi. Dua të them se nuk ka ndodhur, por mund të ndodhë, pra është thjesht një rastësi dhe asgjë tjetër. Ashtu siç është krejt e mundur që askush tjetër mos zgjedhë të lëvizë nga MJAFT! E rëndësishme është që MJAFT!, pavarësisht individëve që ikin e vijnë, t’i qëndrojë parimeve të veta të paanshmërisë dhe progresit për një jetë më të denjë për shqiptarët.
Çfarë pozicioni keni marrë në PS dhe cili do të jetë roli juaj në të ardhmen pranë kësaj partie? A do të kandidoni në zgjedhjet e qershorit në listat e Partisë Socialiste?
Unë nuk po vete në PS për të marrë “pozicione”. “Pozicionet” dhe “ofiqet” sigurisht edhe ato do t’i marr, por në kohën e vet, pasi të kem punuar dhe djersitur shumë dhe gjithçka të jetë e merituar.
Ku e shihni veten pas pesë vitesh?
Unë kam shumë ëndrra të cilat jam e vendosur t’i realizoj të gjitha. Ku do jem, çfarë bilanci do kem, për pesë muaj apo pesë vjet?! Kjo është relative dhe pak rëndësi ka. E rëndësishme dhe fatlume është që para meje qëndrojnë njerëzit më energjikë të botës, shqiptarët, të cilët gjatë kësaj lodhjeje titanike, gjatë këtij ndryshimi kaq të madh, unë t’i shoqëroj dhe t’i ndihmoj po ashtu si dhe ata të më shoqërojnë dhe ndihmojnë mua, gjë për të cilën s’kam asnjë dyshim. Sepse mundemi, dhe, megjithëse e kam fare të qartë se udha është e gjatë, jam gati për punë sado të mëdha dhe sakrifica sado të kushtueshme. Do punoj dhe luftoj që Shqipëria të mos vazhdojë të jetë vendi i historive të çmendura me krime dhe shpërthime, por vendi ku kush di dhe mundet - punon, kush nuk di dhe nuk mundet - hesht.