E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Rama, emblema e korrupsionit të PS

 

Në kuadër të një turi parazgjedhor, nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, zhvilloi dje një takim me banorë të Komunës Rrashbull, rrethi Durrës. Në fjalën e tij, Patozi deklaroi se “Në vitin 2005 sfidat ishin aq të shumta sa për shumëkënd, e jo vetëm për skeptikët, dukej e pamundur mbajtja e premtimeve të fushatës elektorale”. “Por, ne sot dalim të hapur para shqiptarëve e themi me bindje se jemi qeveria e fjalës së mbajtur”, deklaroi Patozi. Sipas tij, të gjitha reformat, të dukshme e të prekshme për të gjithë shqiptarët, u certifikuan edhe nga komuniteti ndërkombëtar me anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në Aleancën Atlantike. Duke e konsideruar hyrjen e Shqipërisë në NATO si një ngjarje madhore e me rëndësi tejet historike për vendin, Patozi tha se nga kampi tjetër kjo ditë po përpiqet të trajtohet herë si një ditë e zakonshme, herë si diçka që do ta sillte koha dhe jo vullneti qeverisës i PD, e herë si një arritje e përbashkët. “Rama, zotëria 15%, e për fat të keq edhe kryetar i PS, thotë se përfaqëson politikë të re, a thua se nuk ka qenë këtu këto 18 vjet, a thua se nuk është ai emblema e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin si Ministër Kulture dhe Kryetar Bashkie; përfituesi i lejeve të ndërtimit, të cilat i jep edhe në Ditën e Sulltan Nevruzit. Atij i pëlqen të flasë për Gërdecin, i pëlqen ta përdorë tragjedinë për qëllime politike, por nuk përmend asnjëherë, as emrin e Mihal Delijorgjit, as milionat që ka përfituar prej Mihal Delijorgjit” - akuzoi Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›