E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Kodin e ka shkelur KQZ

 

BLEDAR HOTI

Partia Socialiste sulmon kreun e KQZ-së, Arben Ristani në lidhje me mos ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Akuzat në adresë të KQZ-së janë lëshuar nga sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, duke u shprehur se qëndrimi i mbajtur ishte i gabuar dhe jo korrekt. “PS nuk është në dispozicion të kryetarit të KQZ, i cili do të mund të urdhërojë PS për të bërë njoftime. Për më tepër edhe sikur t’ia kërkonte këtë ndihmë PS-së, nuk do ishte korrekte, që me një shkresë të firmosur në datë 31 dhe të sjellë në datën 1 në PS, t’i kërkonte asaj një gjë krejtësisht të pamundur. Së dyti, ajo që është më e rëndësishme është se Kodi nuk ngarkon partitë politike, subjektet zgjedhore me përgjegjësi të kësaj natyre. Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e KQZ, e cila ka për detyrë njoftimin dhe organizimin e veprimtarisë të KZAZ-ve”, deklaroi Xhafaj. Ai theksoi se “për këtë i ka marrë fondet KQZ dhe jo për makinat, dietat apo shpenzimet e pajustifikuara që ka bërë dhe rrezikon të bëjë, nëse nuk do t’i përdorë në funksion të një procesi zgjedhor efektiv”. “Kodin e ka shkelur KQZ jo PS. PS është korrekte në faktin që i ka dërguar KQZ-së përfaqësuesit e saj me dokumentet përkatëse. Procesi tjetër që ka të bëjë me thirrjet e KZAZ-ve në mbledhjet e tyre të para dhe në vazhdimësi nuk është detyrë e PS-së, por e KQZ e stafit të saj dhe kryetarit të KQZ-së. KQZ sot ka një staf që është dyfishi i stafit që ka Kuvendi, por përgjegjësitë që duhet të mbulojë drejtpërdrejtë KQZ janë shumë të rëndësishme dhe ato duhet të kenë përgjegjësinë e këtij institucioni dhe kryesisht të kryetarit të saj”, deklaroi Xhafaj. Dy ditë më parë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, akuzoi partitë politike se po braktisin KQZ-në, duke mos bashkëpunuar në ngritjen e KZAZ-ve. Procesi për ngritjen e KZAZ-ve dështoi që në fazën e parë, në atë ngritjes së tyre në Tiranë. Shkak për këtë, sipas KQZ-së, u bë mos paraqitja e anëtarëve të PS-së. Ristani deklaroi se do t’i kërkonte edhe organizmave ndërkombëtare për zhbllokimin e situatës së krijuar për mos krijimin e KZAZ-ve. Socialistët janë justifikuar me faktin se nuk kanë plotësuar ende numrin e gjinive në përbërjet e KZAZV-ve. Në lidhje me këtë çështje, Xhafaj deklaroi se “ka disa KZAZ që nuk është respektuar dhe ne në momentin që jemi vënë në dijeni të këtij fakti kemi ndërhyrë, dhe unë mendoj se deri nesër duhet të jetë i plotësuar dhe ky kriter”.    

Sot ngritja e KZAZ-ve në Shqipëri
I gjithë stafi i KQZ-së është shpërndarë nëpër rrethe të tjera të vendit. Procesi për ngritjen e 66 KZAZ-ve duhet të realizohet patjetër brenda këtyre dy ditëve. KQZ për shpërndarjen e materialeve ka lidhur një kontratë me Postën shqiptare. Në ditët e sotme pritet të dalin edhe rezultatet e para në lidhje me ngritjen e KZAZ-ve në shkallë republike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›