“PD, një parti që mbështetet nga rinia, prandaj ka një të ardhme të shkëlqyer”

Arben Imami takim me studentë të Fakultetit Ekonomik të Elbasanit
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit, zhvilloi mbasditen e sotme një takim me studentë të fakultetit Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të qytetit. Duke u ndalur te investimet që ka realizuar Qeveria gjatë këtyre viteve, mes të cilave edhe rrugën me tunel Elbasan-Tiranë, Imami premtoi se në katërvjeçarin e ardhshëm, do të jetë edhe rruga e Arbrit. Në këtë takim, Imami shoqërohej nga kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, si edhe deputetë të PD, në Elbasan. “Kërkojmë një mandat të tretë, për ta bërë Shqipërinë vendin me standarde më të larta”, tha Imami, ndërsa u shpreh se rinia kërkon zhvillim dhe integrim të vendit. ministr Imami tha se Partia Demokratike ka sjellë ndryshimin, janë djemtë dhe vajzat e vitit 1990 ata që sollën ndryshim, sollën demokracinë në këtë vend. Ai i kërkoi studentëve që të studiojnë sa më shumë, pasi pa dije, një shoqëri nuk ecën dhe dija do të na çojë përpara. Imami vlerësoi se “"Universiteti i Elbasanit është një ndër universitetet më të mira në vend dhe fuqizimi i dijes është themeli i zhvillimit tonë”.