E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhjet, të rëndësishme - retorikat agresive, të panevojshme për askënd”

01-05-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, bashkëbisedon me pedagogë dhe studentë të universiteteve publike


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë një bashkëbisedimi të martën pasdite me pedagogë dhe studentë të universiteteve publike, vlerësoi rëndësinë e procesit zgjedhor të 23 qershorit, ndërsa apeloi që fushata elektorale të mos dominohet nga emocionet. Në fjalën e tij, Presidenti theksoi se, “dozat e tepruara të emocionit apo retorikat agresive prodhojnë vetëm fanatikë dhe fanatizëm, që nuk janë të nevojshme për askënd”. “Ushtrimi i së drejtës së votës nga qytetari nuk duhet të udhëhiqet nga interesat e çastit, por nga principet dhe jam i bindur se ne si shoqëri do të arrijmë të udhëhiqemi nga principet në vendimmarrjen tonë”, u shpreh Kreu i shtetit. Ai theksoi se qytetarët shqiptarë në këtë fushatë, gjatë saj, në ditën e votimit, por edhe pas saj, duhet të marrin nga forcat politike atë që ata meritojnë. Duke shprehur besim për një proces zgjedhor sipas standardeve, Kreu i shtetit tha se krahas zgjedhjeve, një tjetër sfidë e madhe për vendin është dhe procesi i integrimit. “Një nga sfidat është dhe integrimi evropian, i cili duhet të jetë i thjeshtë, paqësor e normal. Ai në rrugëtimin e tij duhet të karakterizohet nga përmbushja e detyrimeve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe të individëve. Por, ai kërkon edhe marrjen e përgjegjësive dhe këto duhet të ecin paralel. Shqiptarët e shohin integrimin si një mundësi që institucionet tona të ecin, edhe në mënyrë të detyrueshme, për të kapur standardet evropiane”, theksoi Nishani në bashkëbisedimin me përfaqësuesit e universiteteve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›