“Marrëveshja e Ohrit është historike”
Krerët e shtetit shqiptar takojnë zëvendëskryeministrin e Maqedonisë
“Zbatimi i plotë të Marrëveshjes së Ohrit, është një moment të rëndësishëm që garanton standardet demokratike evropiane dhe bashkëjetesën etnike në harmoni”, theksoi Presidenti, Bujar Nishani gjatë takimit të zhvilluar dje me zëvendës kryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferri, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Pas urimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministri Xhaferri shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet mbarë-shqiptare në rajon dhe të ardhmen e tyre evropiane.
Duke vlerësuar kontributin e shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe stabilitetin e Maqedonisë, Nishani gjithashtu ritheksoi se shqiptarët në rajon janë faktori më i rëndësishëm për stabilitetin e tij, sepse ata ndikojnë pozitivisht në zhvillimet pozitive të shteteve ku jetojnë, me synim integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Xhaferri u shpreh se ndan të njëjtat mendime me Presidentin Nishani duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit është historike pasi të dyja palët kanë rënë dakord që të jetojnë së bashku, me kusht që të jenë të barabarta, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë lëshime në zbatimin e plotë të saj.
Të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendimi se integriteti territorial i Kosovës është i pa cenueshëm dhe se ndryshimi i kufijve do të destabilizonte të gjithë rajonin.
Gjatë takimit me Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Musa Xhaferri, kryeministri shqiptar Slai Berisha u shpreh se, “Intensifikimin e përpjekjeve për njësimin e çdo standardi që të krijojmë një bote shqiptare të njësuar, duke respektuar kufijtë aktualë, pasi ky është interesi i shqiptarëve sot. Shqiptarët, kudo ku jetojnë, duhet të ndjehen një”.
Në këtë kontekst u fol edhe për nevojën e një marrëveshjeje të bashkëpunimit kulturor midis të dy vendeve.
Në takim, Xhaferri, e falënderoi Kryeministrin për pritjen miqësore dhe për pranimin e ftesës për të festuar në datën 25 nëntor, 100 vjetorin e pavarësisë në Shkup, duke theksuar se vizita e Kryeministrit pritet me gëzim nga të gjithë shqiptarët në Maqedoni.
Kryeministri tha se për të ishte nder e kënaqësi të festonte me shqiptarët e Maqedonisë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, si një mundësi për të shprehur edhe mirënjohjen e thellë, për kontributin e madh që qytetarët e këtyre trevave etnike kanë dhënë në rilindjen kombëtare.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në Maqedoni. Kryeministri tha se i ndjek me vëmendje zhvillimet atje. Ai përshëndeti rolin stabilizues e konstruktiv që forcat politike shqiptare luajnë në Maqedoni, pjekurinë dhe qëndrimin e matur të tyre, si dhe kontributin e tyre në sanksionimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Në këtë kuadër, të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se marrëveshja e Ohrit është historike, pasi nëpërmjet saj shqiptarët e maqedonasit pranuan të bashkëjetojnë me kushte të barabarta.
Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Musa Xhaferri.
Xhaferri shprehu kënaqësinë që ndodhej në Bashkinë e Tiranës, në këtë moment të rëndësishëm të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë, pasi Tirana është kryeqendra e festimeve të shqiptarëve, në këtë 100 vjetor, theksoi Xhaferri.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka bërë të ditur Xhaferri, disa nga aktivitetet që do të zhvillohen në këtë 100 vjetor në Tiranë, duke u ndalur në vendosjen e simbolit kombëtar, shqiponjës, ditën e ngritjes së flamurit në Tiranë, në vendin që sot njihet si rreth-rrotullimi i Doganës. Ky shesh do të marrë emrin “Shqiponja”.
Simboli i shqiponjës do të vendoset më 26 nëntor dhe është bashkë-financuar nga një familje shqiptare nga Tetova. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë drejtues të pushtetit vendor nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi.
Kryebashkiaku Basha ka theksuar se kjo ceremoni, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë do të shërbejë edhe për rigjallërimin e lidhjeve mes drejtuesve vendorë shqiptarë.