E Diel, 1 Nëntor 2026

Nesër përfundon mandati pesë vjeçar i Ina Ramës

21-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti Bujar Nishani zhvillon konsultime për vlerat e Prokurorit të Përgjithshëm

Në vijim të praktikës së konsultimit me forcat politike parlamentare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi dje takime me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi; me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi; me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka; me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule; me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi si dhe me një përfaqësi të Partisë Republikane.
Në këto takime, të cilat u zhvilluan në prag të përfundimit të mandatit të ushtrimit të detyrës nga Prokurori i Përgjithshëm, Kreu i Shtetit kërkoi të shkëmbeheshin mendime rreth vlerave më të mira që duhet të përfaqësojë Prokurori i Përgjithshëm i Republikës.
Të gjithë përfaqësuesit e forcave politike vlerësuan pozitivisht procesin e konsultimeve si një mundësi dhe hapësirë për të prezantuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me çështjen e objektit të takimit.
Në tërësi, përfaqësuesit e forcave politike shprehën pritshmëritë e tyre për një nivel të lartë profesionalizmi, integriteti dhe pavarësie institucionale nga figura e Prokurorit të Përgjithshëm.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Patozi, nuk i ka propozuar presidentit ndonjë emër për postin e Kryeprokurorit të ri, por ka theksuar se PD-ja kërkon që Prokurori i Përgjithshëm të jetë një person me integritet të lartë.
“PD-ja kërkon që Kryeprokurori të përmbushë me seriozitet detyrën dhe ai të vijë nga sistemi i drejtësisë. Gjithashtu PD-ja kërkon që Kryeprokurori i ri të mos ketë pasur probleme me drejtësinë”, ka theksuar Patozi.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi shprehu qëndrimin se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual nuk përfundon në fundin e këtij muaji, por në muajin maj të vitit të ardhshëm.
Presidenti i Republikës sqaroi, se në respekt të Kushtetutës së vendit dhe ligjit organik të Prokurorisë,  Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka një mandat 5-vjeçar.
Mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij.
Në referim të të gjitha praktikave gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit (nëse kërkohet betimi) dhe përfundon në të njëjtën ditë dhe muaj të vitit të fundit të afatit të përcaktuar në ligj.
Presidenti i Republikës e vlerësoi shumë lart procesin e këtyre konsultimeve, po edhe të shkëmbimit të pikëpamjeve si pjesë e transparencës dhe e komunikimit midis institucioneve.
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka propozuar një emër konkret për kandidaturën e Kryeprokurorit të ri. Kreu i grupit parlamentar i kësaj partie, Lefter Koka i ka propozuar kreut të shtetit gjatë takimit për përcaktimin e kritereve që duhet të gëzojë kandidatura për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, që kjo figurë të ketë integritet moral, profesional, të mos ketë implikime në të shkuarën dhe të ketë  eksperiencë në drejtësi.
Ndërsa kreu i PBDNJ-së, pas takimit me kreun e shtetit vlerësoi se zgjedhje e Prokurorit duhet të jetë një zgjedhje mbi partitë politike.
“Tashmë për ne nuk ka rëndësi data e mbarimit të mandatit, pasi kjo pikë duhej të ishte konsultuar më herët, e rëndësishme është që për postin e kryeprokurorit të gjendet një person konsensuale dhe që zgjidh problemet e drejtësisë”, deklaroi Dule.
Neritan Alibali dhe Alfred Deshati përfaqësuesit e Partisë Republikane në fund të takimit, konfirmuan se “për ne mandati i kryeprokurorit përfundon në nëntor, kandidatura të ketë integritet profesional, moral, si dhe të ketë eksperiencë në drejtësi”.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›