Meta, apel PS-së: Të jesh në opozitë s‘është tragjedi
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se nuk është penduar për vendimin e marrë një muaj e gjysmë më parë, duke pranuar ftesën e Kryeministrit Berisha për të bashkëqeverisur me të për katër vitet e ardhshme. Sipas Metës, ai ka qenë vendimi i vetëm i drejtë dhe i dobishëm jo vetëm për LSI-në, por edhe për stabilitetin dhe integrimin e vendit. Sipas tij, qetësia e situatës pas zgjedhjeve ka treguar sesa i drejtë ka qenë vendimi i marrë nga LSI-ja. Në lidhje me negociatat për qeverinë e re, Meta theksoi se nuk ka asnjë negociatë, pasi ato do të ndodhin në një periudhë sa më afër mbarimit të mandatit të kësaj qeverie dhe kjo është bërë për dy arsye: "e para, se qeveria aktuale duhet të përmbushë detyrimet e saja deri në fund të mandatit dhe e dyta, sepse të dyja palët kanë një program, i cili është i përputhshëm nga të dyja forcat politike", sqaroi Meta. Në lidhje me objektivat e mëdha që ka para kjo qeverisje katërvjeçare, ku dy ndër to janë zgjedhjet lokale dhe zgjedhja e Presidentit, për kryetarin e LSI-së këto objektiva do të realizohen falë një qeverisje të qëndrueshme, pasi kjo qeveri vjen nga një vullnet politik i fuqishëm, ashtu sikurse ka nevojë dhe për një opozitë të fuqishme që të kontrollojë qeverinë, por dhe të bashkëpunojë në interes të vendit. "Ky do të jetë një koalicion, i cili nuk do të funksionojë asnjë ditë më pak se katër vitet të plota kalendarike, ne jemi të hapur për zgjidhje më të mira dhe në dobi të prioriteteve tona dhe në dobi të prioriteteve të koalicionit e në harmoni me emrat, me figurat, personalitetet që mund t‘i çojnë këto politika më përpara", nënvizoi Meta. Kreu i LSI-së, theksoi më tej se është pjesë e këtij koalicioni qeverisës, nëse është brenda kabinetit ose jo. "Ne, tha Meta, kemi vullnetin për të çuar para vendin, duke realizuar problemet kryesore që ëndërrojnë shqiptarët që nga liberalizimi i vizave, te zhdukja e varfërisë, që është një problem i madh për shumë shtresa në vend, si dhe problemeve të tjera. Pak rëndësi ka se ku do të jem unë dhe a do të marr ndonjë post drejtues, unë jam deputet i Kuvendit dhe i shërbej këtij vendi. Synimi ynë, tha ai, është që ky koalicion të realizojë disa nga aspiratat kryesore të vendit, ndaj ne si parti nuk kemi asnjë lloj kushtëzimi, as për ministri të caktuara dhe as për të qenë unë pjesë e qeverisë". Sa për reagimet e fundit të PS-së, Meta i quan mendësi të vjetra, të cilat nuk po shkulen dot as nga mentaliteti i lidershipit të ri të PS-së, i cili ka prezantuar një politikë të re. Sipas tij, PS-ja duhet ta marrë me qetësi, sepse të jesh në opozitë nuk është fundi i botës dhe ndonjë tragjedi, përkundrazi, tha Meta, është një përgjegjësi shumë e madhe dhe aq më tepër të jesh një opozitë me numër të tillë deputetësh, pasi përgjegjësia e opozitës është po aq sa edhe e qeverisë.