E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS "përplasen" për masakrën e Durrësit

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike replikuan dje sërish me njëra-tjetrën nga selitë respektive në lidhje me masakrën e ndodhur në Durrës, ku humbën jetën katër oficerë të Policisë së Shtetit. Partia kryesore e opozitës akuzon PD-në për këtë masakër të rëndë, ndërkohë që demokratët akuzojnë kryetarin Rama se po bën politikë mbi një tragjedi.

Masakra e 7 gushtit, ku humbën jetën katër punonjës të Policisë së Shtetit, është kthyer dje në një shkëmbim replikash të ashpra mes dy partive, PS e PD. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, deklaroi se vrasja e tyre është shprehja e braktisjes së detyrës nga pushteti i Berishës. Imeraj rikujtoi akuzat e selisë rozë për bashkëpunim të partisë në pushtet me kriminelë, të cilët u liruan nga burgu jashtë çdo kriteri ligjor. "Jashtë çdo kriteri ligjor e përgjegjësie mendore pushteti i Sali Berishës ka lëshuar me leje të paligjshme nga burgjet për fushatë në favor të pushtetit një numër të konsiderueshëm vrasësish, trafikantësh e grabitësish, të cilët kanë shoqëruar ministra dhe kanë ushtruar terror psikologjik në zonat e influencës së tyre mafioze", tha ajo. Imeraj bëri me dije se PS-ja disponon të dhëna alarmante për fluksin e lartë të lejeve të paligjshme për kriminelë të dorës së parë në javët e fushatës dhe kemi të gjithë vullnetin që të kërkojmë me forcë nxjerrjen para ligjit të lejedhënësve. "Ndërkohë që theksojmë publikisht se vrasja e katër shërbëtorëve të pafajshëm të shtetit në detyrë nga një kriminel i shumëkërkuar që bridhte lirisht rrugëve, është shprehja më dramatike e braktisjes së detyrës nga pushteti i Sali Berishës, i cili bën sikur drejton Shqipërinë, por në fakt vetëm menaxhon interesa familjare e klanore, duke grabitur çdo ditë përmes vendimeve të qeverisë prona e fonde publike", vijoi zëdhënësja e selisë rozë.

Menjëherë pas deklaratës së zëdhënëses së PS-së erdhi reagimi i selisë blu nëpërmjet zëdhënëses së saj, Erla Mëhilli. Kjo e fundit, në deklaratën për shtyp, theksoi se "aktin terrorist të Dritan Dajtit dhe rënien në krye të detyrës së 4 inspektorëve të policisë, Edi Rama me moralin e tij më të ulët, pa prishur pushimet e tij u përpoq çdo ditë ta shfrytëzojë për qëllime politike". Sipas Mëhillit, "ky është njeriu që ushqen shpirtin me humbjen e jetës së të tjerëve, që nuk ka asnjë kod moral e që nuk lë asnjë rast të vetëm pa dhunuar kodin më të lashtë e më të paprekshëm të këtij kombi, kodin e vdekjes". Ky bastard i nomenklaturës hoxhiste, nënvizoi ajo, i lejoi vetes të shpallë të rënët në krye të detyrës si viktimat e korrupsionit dhe jo të rënë nga akti terrorist i Dritan Dajtit dhe që nga dita e premte e deri më sot çdo ditë nxjerr në konferenca shtypi duke shpifur dhe trilluar monstruozitete që vetëm mendja e tij mund të krijojë. PD-ja, thekson Mëhilli, "nuk ka dashur të reagojë ndaj serialit makabër mediatik në respekt të të rënëve, por nuk mundi të heshtë më gjatë ndaj deklaratave të këtij humbësi pa moral që iu dhunon dhe përdhos shqiptarëve ditën e zisë në vend që të kryejë detyrimet më elementare që zija kombëtare imponon për çdo njëri të qytetëruar". PD-ja premton se me gërshërët dhe forcën e ligjit do shembë perandorinë e krimit të secilit prej atyre që Rama ka mbështetur me lejet e tij të ndërtimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›