E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në PBDNJ, Miço: Të largohet Dule

Humbja në zgjedhjet e 28 qershorit po thellon çdo ditë e më shumë përçarjen e krijuar në gjirin e PBDNJ-së. Dje është thyer heshtja dhe drejtuesit e kësaj force politike kanë replikuar me njëri-tjetrin nëpërmjet mediave, duke mos i kursyer sharjet dhe akuzat. Nënkryetari i PBDNJ-së, Thoma Miço, ka bërë fajtor kryetarin Vangjel Dule për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 28 qershorit, ndaj ai ka kërkuar që Dule të japë dorëheqjen si kryetar i partisë. Por nuk është vetëm kjo arsye pse nënkryetari Miço kërkon largimin e Dules nga kryetar i PBDNJ-së. Duke e cilësuar Dulen "demon" të partisë, nënkryetari Miço zbardh disa zhvillime të ndodhura brenda strukturave të PBDNJ-së, të cilat tregojnë arsyet e vërteta pse kryetari duhet të largohet, pasi ka bërë pazare me partinë për interesat e tij. "Shkaku kryesor dhe i padeklaruar në publik i z.Dule, por në analiza të brendshme të partisë, ishte çështja që PD-ja bëri një koalicion parazgjedhor me PDI-në. Kjo ishte një sajesë e tij, për të justifikuar një marrëveshje të fshehtë që kishte bërë me z.Rama, disa muaj para zgjedhjeve, të cilën nuk e kishte publikuar asnjëherë dhe nuk e kishte bërë të njohur në organet drejtuese të partisë", tha Miço. Për të justifikuar dhe për të mbajtur fjalën që i kishte dhënë Ramës, tha ai, për të qenë në koalicion me të majtën në Shqipëri, Dule priti derisa Berisha të nënshkruante një marrëveshje me PDI-në dhe të aludonte se përçarja apo divorci politik me Berishën ka për shkak pikërisht këtë marrëveshje të PDI-së me PD-në. Duke intensifikuar akuzat e tij nga kryetari i partisë, Vangjel Dule, nënkryetari Miço theksoi se "më e çuditshmja është se mësoj nga disa burime që z.Dule është futur në tratativa edhe me krerët e PDI-së, duke u premtuar atyre që në një të ardhme të ndryshimeve politike në Greqi, ai do të interlekutojë për zgjidhjen e problemit të tyre të pronave". Miço theksoi se kjo është një çudi që nëse është e vërtetë, Dule ka marrë një barrë shumë të madhe. Duke pasur parasysh këto arsye, Miço përsëriti disa herë që Dule duhet të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë dhe nuk e fshehu aspak ambicien e tij për të garuar për postin e kryetarin në shtator kur do të zhvillohet edhe kongresi i jashtëzakonshëm i kësaj partie. Por pas deklaratave të bëra nga Miço ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryetarit të PBDNj-së, Vangjel Dule. Ai ka theksuar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë dhe nuk është Miço ai që mund t‘ia kërkojë një gjë të tillë. Sipas Dules, Thoma Miço flet në emër të PD-së, sepse që pas zgjedhjeve thekson ai, Miço është bërë anëtar i kësaj force politike. Dule thekson se Miço nuk mban më asnjë post në PBDNJ, ndaj nuk mund t‘i kërkojë dorëheqjen dhe mbi të gjitha nuk mund të garojë për postin e kryetarit të partisë. Konfliktet brenda PBDNJ-së kanë nisur muaj më parë, pasi Dule kërkoi që të zëvendësonte në detyrën e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barkën me Anasatas Duron. Pas kësaj kërkese, si Barka edhe Miço, akuzuan Dulen se po punon në kundërshtim me statutin dhe me frymën e PBDNJ-së.

Muhedini:

Kreu i Partisë për Drejtësi dhe Integrim

"Dule po vepron kundër

integrimit të vendit"

PDI-ja dhe PBDNJ-ja duket se nuk do ta gjejnë asnjëherë gjuhën e përbashkët mes tyre. Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, ka shtuar akuzat ndaj PBDNJ-së dhe kryesisht nga kryetarit të saj, Vangjel Dule, duke deklaruar se ai po punon kundër Shqipërisë dhe integrimit të saj në Europë. Duke mohuar zërat se ai ka pasur një marrëveshje me Dulen për ndërmjetësimin e këtij të fundit për zgjidhjen e çështjes çame, kryetari i PDI-së, Muhedini, thotë se ata nuk do t‘i kërkonin kurrë atij të ndërmjetësonte për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Dule, thekson, Muhedini bën mirë të shkonte dhe të drejtonte ndonjë kult fetar. "Dule tregoi papërgjegjshmërinë e tij gjatë fushatës elektorale, ai në një stacion televiziv grek, spekuloi shpifi dhe e quajti popullsinë shqiptare çame ortodoks. Ai duhet të marrë shembull nga shoqëria progresiste greke, nga historianë, sepse historianët nuk bëjnë politikë, nuk mashtrojnë, por ata thonë atë që është", u shpreh Muhedini. Për drejtuesit e PDI-së nuk ka asnjë kompleks nëse Dule bashkohet me koalicionin e djathtë. Për ne, thekson ai, primare është zgjidhja e çështjes çame, të cilat janë pa pronat e tyre dhe Dule nëse do le të kontribuojë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Por përkundrazi, vijoi ai, Dule do të ndikojë për prishjen e marrëdhënieve me komunitetin grek për të mos qenë në lartësinë e duhur. Kreu i PDI-së nuk e fsheh ambicien e kësaj force politike për t‘u përfaqësuar në qeveri me post ministror dhe këtë ia lë në dorë vetë Kryeministrit Berisha duke mos bërë publike ndonjë preferencë për poste ministrore. PDI-ja është partia surprizë për zgjedhjet e 28 qershorit, sepse megjithëse është një parti e re, pasi ka vetëm 5 vjet që është krijuar, me një sistem që nuk i favorizonte shumë partitë e vogla, arriti të marrë një deputet duke u përfaqësuar kështu në sallën e Parlamentit. Për PDI-në, kjo është një arritje e madhe pasi ata gjatë këtij mandati katërvjeçar nëpërmjet deputetit të tyre në Kuvend do të ngrenë zërin për zgjidhjen e çështjes çame, një çështje e cila, sipas tyre, ka 18 vjet që zvarritet nga politika shqiptare.

Historiku

Numri i deputetëve me të cilët u përfaqësua

Përfaqësimi i PBDNJ-së

në Kuvend nga viti 1991

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është një parti politike e cila nga 1991 e deri më sot është përfaqësuar vazhdimisht me deputetë në sallën e Kuvendit. Në vitin 1991, deputetët e minoritetit grek kanë qenë të përfaqësuar në sallën e Kuvendit nën siglën e organizatës së "Omonias" me Andrea Zarballa, Jani Gjyzeli, Jani Jani, Panajot Barka dhe Thoma Miço. Në zgjedhjet e pas një viti, ato të vitit 1992 organizata "Omonia" u përfaqësua në Kuvend me partinë më të re të pluralizmit në vend PBDNJ-në me deputet Kosta Makariathi dhe Thoma Miço. Në zgjedhjet e vitit 1996, PBDNJ-ja u përfaqësua në Kuvend me tre deputetë, të cilët ishin Thoma Miço, Vangjel Dule dhe Vasil Melo, ky i fundit ka qenë edhe kryetar i partisë. Por gati një vit më pas vendi u përfshi sërish në zgjedhje të përgjithshme dhe në vitin 1997 PBDNJ-ja u përfaqësua në Kuvend me katër deputetët e saj, të cilët ishin Kristo Goçi, Ligoraq Karamelo, Vasil Melo dhe Ziso Lluci. Po me katër deputetë, PBDNJ-ja është përfaqësuar në sallën e Kuvendit është në zgjedhjet e vitit 2001. Deputetë ishin Kristo Goçi, Ligoraq Karamelo, Vangjel Dule dhe Vasil Melo. Ky i fundit u nda nga jeta dhe më pas partia kaloi nën drejtimin e Vangjel Dules, i cili u rizgjodh sërish deputet në zgjedhjet e vitit 2005 dhe bashkë me të nën siglën e PBDNJ-së në sallën e Kuvendit në zgjedhjet e 2005 u futën dhe dy deputetë të tjerë, Leonard Solis dhe Spiro Peçi. Por pas zgjedhjeve të vitit 2005, për PBDNJ-në ashtu si edhe për shumë parti të tjera të vogla erdhën kohë jo të mira. Në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009, PBDNJ-ja me sforco të madhe arriti të merrte një deputet në Qarkun e Vlorës, pasi në qarqet e tjera ajo pothuajse nuk llogaritej fare. Ky rezultat zgjedhjesh, sipas Dules, erdhi për shkak të Kodit Zgjedhor, i cili diskriminonte partitë e vogla. Por ky justifikim nuk u pranua nga drejtuesit e tjerë të PBDNJ-së, të cilët e akuzuan Dulen se rezultati negativ në zgjedhjet e fundit parlamentar erdhi për shkak të aleancave të tij të papërgjegjshme që bëri me PS duke u largua nga PD-ja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›