E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reciprociteti, koncentrim te mallrat e Kosovës

Nga Express më 08 gusht 2011 në ora 20:00

Vendosja e masave të reciprocitetit tregtar me Serbinë është vlerësuar se ndikon pozitivisht në ekonominë e Kosovës, për faktin se ka një koncentrim më të madh në mallrat vendore. Këtë e thonë edhe drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët pas arritjes së marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, kanë vlerësuar se ky reciprocitet ka rënë në ujë. Megjithatë, sipas tyre, reciprociteti duhet të jetë i bazuar në një logjikë, sipas të cilës, Kosova duhet të deklarojë se nuk i pranon doganat e Serbisë, për shkak se nuk e njeh shtetin e Serbisë.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ka thënë se një reciprociteti i bazuar në këtë logjikë u tregon edhe shteteve tjera se Kosova nuk është e kryekëput e varur nga asnjë shtet për furnizimin me mallra dhe se Kosova nuk është për marrëdhënie të këqija, por është e detyruar të mbrohet nga politikat e mbrapshta ekonomike të Serbisë.

“Unë mendoj se ky reciprocitet është i rëndësishëm për ekonominë, për shtetin e Kosovës, sepse fundja, edhe si Lëvizje Vetëvendosje edhe unë personalisht e kam kërkuar reciprocitetin që nga viti 2008, mirëpo ai duhet të jetë i bazuar në njëfarë logjike. Vendimi thotë: parimi i reciprocitetit vendoset, nuk pranohen vulat e doganave të Serbisë. Mendoj se duhet të jetë më e arsyeshme kjo, nuk i pranojmë doganat e Serbisë për shkak se nuk e pranojmë shtetin e Serbisë, për atë arsye nuk i pranojnë vulat tona. Me këtë i dërgojmë mesazh edhe shteteve tjera se kush sillet keq me neve, ne nuk jemi për marrëdhënie të këqija me shtete tjera, por kur dikush ka politikë të mbrapsht që e dëmton ekonominë e Kosovës, atëherë ne detyrohemi të mbrohemi nga këto politika ekonomike”, ka thënë Ahmeti për Kosovapress.

Sido që të jetë, Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, ka hedhur poshtë reciprocitetin.

Por, njësoj nuk mendon Lekë Musa, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, i cili ka thënë për Kosovapress se ka reciprocitet të plotë se nuk lejohen të hyjnë mallrat për qarkullim komercial në territorin e Kosovës.

“Sipas mendimit tim ekziston reciprocitet i plotë, për momentin, përveç se kemi të bëjmë me mallra humanitare, domethënë për plotësimin e nevojave të kishës edhe të grupeve të caktuara përndryshe ekziston një reciprocitet i plotë. Domethënë mallrat që vijnë nga Serbia nuk lejohen për lëvizje të lirë në Kosovë”, ka thënë Musa.

Për më tepër, Musa ka thënë se pas 15 shtatorit duhet gjetur një mekanizëm, apo një formulë, sipas së cilës duhet të ketë një aplikim të masës reciproke në mënyrë të barabartë ashtu siç aplikon edhe Serbia.

Musa shpreson se pas 15 shtatorit do të ketë një mekanizëm, sipas cilit, sa i përket qarkullimit të mallrave komercialë duhet të ketë një aplikim komercial nga të dy anët, çfarë aplikohet nga shteti i Serbisë do duhej aplikuar nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe KFOR-i kanë arritur të premten marrëveshje për veriun, përderisa një ditë më pas, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se me marrëveshjen e arritur me KFOR-in ka hequr dorë nga dy pikat kufitare 1 dhe 31 dhe nga vendimi për reciprocitet. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›