Pritja ; Kreu i Gjykatës së Kasacionit italian, takime me Presidentin Topi e kryeparlamentaren Topalli
Delegacioni i Gjykatës së Kasacionit të Italisë, i shoqëruar dhe nga znj. Shpresa Becaj, është pritur në një vizitë të veçantë nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi. Gjatë bisedës dypalëshe, Presidenti Topi vuri në dukje se në kuadër të përmbushjes së aspiratës së integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet gjyqësore në vend, është një detyrim përparësor, për të cilat shteti dhe institucionet shqiptare janë të angazhuara maksimalisht, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në sistemin e drejtësisë. Duke nënvizuar rëndësinë që ka pavarësia dhe paanshmëria e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tij në vendin tonë, kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin dhe përvojën e institucioneve gjyqësore italiane në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare. Po dje, z. Vincenzo Carbone, i shoqëruar dhe nga znj. Shpresa Becaj, është pritur edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli. Duke i uruar mirëseardhjen zotit Carbone, kryetarja e Kuvendit tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë karakterizuar gjithmonë nga një frymë e fortë miqësie. Bashkëpunimi politik dhe ekonomik, - tha ajo, - është një bazë e shkëlqyer për intensifikimin e marrëdhënieve edhe në fusha të veçanta siç është gjyqësori. Biseda mes znj. Topalli dhe z. Carbone u ndal në bashkëpunimin konkret mes gjykatave të Italisë dhe Shqipërisë, përmes sistemeve të informatizuara, si edhe takimeve të ndërsjella të gjyqtarëve italianë dhe atyre shqiptarë.