Topi, Vincenzo: Përvojë italiane për gjykatat
Detyrim parësor për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane mbetet dhe zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet gjyqësore në vend. Një gjë e tillë u vu dje në pah në takimin që Presidenti Bamir Topi zhvilloi dje me kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Republikës Italiane, Vincenzo. Topi e njohu atë me arritjet e Shqipërisë, duke shprehur njëkohësisht edhe vlerësimet e falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit fqinj, Italisë, në mbështetje të vendit tonë për integrimin e plotë në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi, duke vënë në dukje faktin se Italia është partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë dhe duke vlerësuar kontributin e vyer politik dhe institucional të Italisë, shprehu besimin në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve e popujve miq. Kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Republikës Italiane, Vincenzo Carbone, në emër edhe të delegacionit që e shoqëron, shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe garantoi përkrahje e mbështetje maksimale në forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare. “Në këtë kuadër, - theksoi zoti Carbone, - janë shumë të vyera vizitat e ndërsjella mes drejtueseve të institucioneve homologe të drejtësisë, si dhe shkëmbimi dhe ndarja e vazhdueshme e përvojës pozitive”. Në këtë drejtim, z. Carbone vuri në dukje se po punohet që edhe Shqipëria me Gjykatën e saj të Lartë të përfitojë nga përvoja dhe ndihmesa italiane në mënyrë që të anëtarësohet së shpejti në rrjetin evropian të gjykatave të kasacionit.