E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupet parlamentare funksionojnë me më pak deputetë

30/04/2009  Raporti i lëvizjes “Mjaft” me shkelje të reja në rregulloren e Kuvendit

Lëvizja “Mjaft” ka dashur të vihet dhe një herë në qendër të vëmendjes me raportin e saj të radhës në lidhje me ditët punës që duhet tu hiqen deputetëve për mungesa. Kështu, gjatë këtij viti të monitorimit të veprimtarisë parlamentare nga ana e mjaftistëve u vu re shkelja e Rregullores dhe procedurave të organizimit dhe funksionimit të punës së Kuvendit të Shqipërisë. Janë dy grupe parlamentare: grupi agrar-ambientalist dhe ai “Qendra demokrate” që janë organizuar në kushte të shkeljes së plotë të kritereve të përcaktuara në nenin 15 të Rregullores. Këto grupe përbëhen nga 6 deputet, në një kohë që Rregullorja sanksionon përbërjen e çdo grupi parlamentar nga minimalisht 7 deputetë. Një fakt i tillë u konstatua pak kohë më parë nga gazeta “Metropol”, por me sa duket ky fakt s’u ka shpëtuar as mjaftistëve, të cilët rrinë non stop në Kuvend sa herë ka seanca apo komisione. Njëkohësisht, po në këtë linjë, raporti vjetor publikoi të dhëna mbi sjelljen, votimin dhe mungesat e deputetëve në Kuvend. Kësisoj, ashtu si në çdo sesion të kësaj legjislature, Fatos Nano mbetet deputeti me numrin më të madh të mungesave, duke qenë prezent vetëm në 6 nga 161 seanca të zhvilluara. Pas tij vijnë Taulant Dedja, Ilir Meta dhe Vangjel Dule. Engjëll Cara, Parid Teferici e Dashnor Sula, kryesojnë listën e deputetëve më të rregullt, që nuk kanë munguar në asnjë seancë. Sipas raportit të “Mjaftit”, Erion Braçe është më aktivi i 140 deputetëve, i pasuar nga Pëllumb Xhufi, Valentina Leskaj, Nikollaq Neranxi, Arben Malaj e Taulant Balla. Ndër më të heshturit ose që nuk e kanë marrë asnjë herë fjalën gjatë 2 sesioneve parlamentare të këtij viti përmenden Flori Bajramaj, Taulant Dedja, Hamit Kosta e Fatos Nano. Ndërkohë organizata “Mjaft” ka konstatuar shkelje të rregullores si votimit duke mos qenë prezent në sallë, apo miratime të ligjeve të ndryshme në komisione me mungesë kuorumi. Sipas vëzhgimit të skuadrës “Unë votoj”, vërehet një shtim i numrit të procedurave të dhunuara, gjashtë janë nenet e Rregullore së Kuvendit që janë shkelur vazhdimisht nga deputetet gjatë këtij sesioni parlamentar

Përjashtimi

Ndryshe nga publikimi paraardhës, në këtë raport nuk do të përfshihet analiza e deklarimit të pasurisë dhe aseteve të anëtarëve të Kuvendit, për shkak se procesi i deklarimit është në zhvillim e sipër nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë.

Kuorumi

58 mbledhje të komisioneve të përhershme parlamentare kanë marrë vendime dhe kanë miratuar për kalimin në seancë plenare një numër të madh projektligjesh, të cilat duhet të ishin shpallur të pavlefshme për mungesë kuorumi gjatë miratimit të tyre në komisionet përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›