E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta premton përgjysmimin e TVSH-së

30/04/2009  Takimet me biznesin

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në vijim të takimeve për t’u njohur nga afër me shqetësimet e qytetarëve në kuadër të javës për verifikimin nga afër të kostos së jetesës së qytetarëve shqiptarë, u ndal dje në një furrë buke në Laprakë të Tiranës. Meta bashkëbisedoi me punonjësit e furrës së bukës si dhe me qytetarë të ndryshëm që ndodheshin aty për të blerë bukën. Biseda u përqendrua kryesisht në koston e lartë të jetesës në vend, çmimet e larta dhe papunësinë e madhe, që është një plagë e rëndë sot për shqiptarët. “Lëvizja Socialiste për Integrim ka një plan për të ulur koston e jetesës, sidomos për produktet bazë, për produktet e shportës dhe një nga masat që ne do të marrim është përgjysmimi i TVSH-së për këto produkte nga 20% në 10 %, në mënyrë që të ndihmojmë në uljen e çmimeve”, - premtoi Meta gjatë fjalës së tij. Njëkohësisht, po në këtë linjë, Meta garantoi dhe një herë se e gjithë politika që do të ndjekë Lëvizja Socialiste për Integrim synon pikërisht mbrojtjen e shtresave më të varfra dhe me të ardhura më të pakta të shoqërisë nga kjo rritje e kostos të jetesës dhe njëkohësisht për të ndihmuar bizneset që janë jetike për koston e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Ai tha se buka është një produkt jetik i domosdoshëm, por për fat të keq sot në këtë kohë krize qytetarët e kanë të vështirë që ta blejnë me çmimet aktuale. E jo vetëm bukën, por dhe shumë produkte të tjera të rëndësishme të shportës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›