Merkel dhe Sarkozy me një qëndrim për Greqinë

Tri orë zgjati biseda mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Nicolas Sarkozy në Berlin.
Në fund të dy ishin të një mendje: Greqisë i nevojitet një paketë e re shpëtimi sa më shpejt të jetë e mundur. Kusht për këtë është që Greqia të përmbushë detyrimet e saj, tha Merkel.
Në një bisedë telefonike me kryeministrin grek, George Papandreu, Merkel është siguruar se ai është i gatshëm për këtë dhe do të luftojë, që vendi të ecë në rrugën e duhur.
Do të ishte mirë, shtoi kancelarja Merkel, që edhe opozita greke ta mbështesë kryeministrin në këto përpjekje.
Partia më e madhe opozitare greke, "Neo Demokratia", është parti simotër e Unionit Demokristian (CDU) të Merkelit dhe partisë së Sarkozysë, UMP.
Merkel dhe Sarkozy arritën një kompromis sa i takon çështjes se si mund të përfshihet sektori privat në shpëtimin e Greqisë.
Në këtë pikë ka pasur dallime të mëdha në pozicionet e të dy vendeve.
Presidenti Sarkozy e cilësoi këtë kompromis si një arritje të rëndësishme.
Ai theksoi, se Gjermania dhe Franca janë në një vijë sa i përket shpëtimit të Greqisë.