E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rashiq premton benificione për pensionistët

Nga Express më 18 qershor 2011 në ora 19:00

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka thënë se është duke u punuar që pensionet dhe pagesat për kategoritë sociale të kenë një rritje të vogël dhe ato të jenë të harmonizuara me rritjen e çmimeve që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit. Sipas tij, në kuadër të të projekteve për zbutjen e papunësisë edhe sivjet janë duke u bërë përpjekje që të realizohen punësime sezonale, porse ky numër do të jetë shumë më i vogël se vitet e kaluara për shkak të disa problemeve që kanë shtetet e huaja me emigrantë.

Edhe pse ka një buxhet prej 201 milionë euro që duhet ta menaxhoj brenda një viti, ministri Rashiq në një intervistë të dhënë për Kosovapress ka thënë se kjo shumë është e vogël për të mbuluar nevojat elementare të njerëzve në nevojë.

Sipas tij, MPMS është duke vazhduar aktivitetet për zbutjen e papunësisë dhe sipas mundësive nëse nuk do të paraqitet ndonjë problem këtë vit do të bëhet një ngritje e vogël e pagesave edhe për kategoritë sociale.

“Me projektin e ri ne e kemi propozuar si ide dhe tash janë duke u bërë planifikime finale, ku është paraparë që të bëhet një harmonizim me çmimet dhe gjërat që kanë ndodhur nga viti 2004. Krejt kjo do të llogaritet dhe nëse deri atëherë punët shkojnë sipas planit dhe nëse aprovohet ligji do të ketë një rritje për ata që vërtetë e meritojnë një asistencë sociale”, tha ai.

Në këtë rast, Rashiq thotë se pas shumë diskutimeve së bashku me Bankën Botërore dhe FMN-në është rekomanduar një sistem për pensione dhe kategori sociale, i cili mund të ketë qëndrueshmëri më të gjatë.

Kurse edhe pse ishte zotuar se numri i të pa punëve do të zbutet gjatë sezonit të verës, me anë të punësimeve sezonale jashtë vendit, siç duket këtë vit kjo mundësi do të jetë më e zbehët. Ministri sqaron se kjo situatë ka ardhur, pasi që shtetet e huaja kanë probleme të mëdha me emigrantë.

“Po ashtu, para dy jave kam kontaktuar ambasadorin italian që të shohim nëse Italia mund të marrë punëtorë sezonal dhe ne të shfrytëzojmë këtë shans. Mirëpo ambasadori Giffoni më ka treguar se këtë vit Italia ka problem me të ardhurit nga Libani dhe ka pak gjasa të pranohen punëtorë të rinj”, tha ai.

Mirëpo, Rashiq theksoi se projekti për punësimin sezonal të 208 studentëve në Gjermani dhe 300 punëtorëve në Afganistan pritet të realizohet.

Më tutje, ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale thotë se fuqia ekonomike e Kosovës nuk mund t’i absorboj të gjitha kërkesat e qytetarëve, porse është duke u punuar maksimalisht që të rregullohet sadopak edhe çështja e pensionistëve.

“Unë i kuptoj edhe pensionistët dhe ata nuk janë të kënaqur duke kërkuar më shumë, por unë çdoherë e them se ne kemi një kulaç dhe sa kemi mundësi të zgjidhim këtë kulaç. Mirëpo ne duhet të gjejmë mënyrat se si të menaxhojmë me situatën. Mendoj se me ofertën e re, për pensionistët do të krijohet një kuptim, i cili mund t’i le pensionistët e kënaqur, bile jam i sigurt se mund të kenë një benificion më të lartë se që kanë pasur deri më tani”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq tha se duke pasur parasysh buxhetin e vogël të Kosovës, do të shtohen inspektimet në terren në mënyrë që mos të ketë keqpërdorime të parave të dedikuara për kategoritë e familjeve të varfra. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›