E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët, grup pune për statusin

12/03/2010 Urdhri

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ngritur një grup pune për të hartuar një studim mbi mundësinë konkrete për realizimin e Statusit të Minatorit. Grupi është ngritur me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në bazë të urdhrit të Kryeministrit nr. 28. datë 5.2.2010 “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për Statusin e Minatorit”, dhe do të kryesohet nga zv/ministri Neritan Alibali. Në përbërje të këtij grupi do të jenë dhe të tjerë funksionarë të lartë të METE-s, përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ky grup pune, deri në datën 5 prill do të hartojë studimin mbi mundësitë konkrete për realizimin e statusit të minatorit, si dhe t’i paraqesë Kryeministrit propozimet për këto mundësi, së bashku me aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore lidhur me Statusin e Minatorit. Për realizimin e detyrave të përcaktuara në urdhrin e Kryeministrit, grupi i punës do të shfrytëzojë praktikën e deritanishme lidhur me Statusin e Minatorit. Në përfundim të punës për hartimin e dokumenteve mbi Statusin e Minatorit, grupi i punës do të konsultohet me faktorët e interesit. Masat që po merren për këtë problem kanë ardhur si pasojë e kërkesave dhe protestave të njëpasnjëshme të minatorëve pikërisht për zgjidhjen e statusit të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›