Marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve

Ministri i Jashtëm, Panariti takon ambasadoren e Australisë në Tiranë, Bloomfield
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti zhvilloi dje një takim me ambasadoren e Australisë në Republikën e Shqipërisë, znj. Jenny Polyxeni Bloomfield.
Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan si shumë të rëndësishëm rolin e diasporës shqiptare në Australi, duke e konsideruar atë si urë lidhëse për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ministri Panariti u shpreh se ekzistojnë potenciale të mëdha bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, si dhe shtimin e kontakteve mes dy palëve për rritjen e shkëmbimeve tregtare, zgjerimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët. Gjithashtu ai kërkoi që të ecet drejt një marrëveshjeje mes dy vendeve për bashkëpunimin ekonomik.
Në takim, u fol gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Australisë në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, veçanërisht të OKB-së. Një vend të rëndësishëm në bisedë zuri edhe kontributi i madh i të dy vendeve në Forcën Ndërkombëtare për Asistencë Sigurie në Afganistan.
Ambasadorja Bloomfield pasi shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat e lartpërmendura, i ripërsëriti ftesën e Kryeministres Gillard për një vizitë zyrtare në Australi.