PDK-ja kërkon mbledhjen e tryezës së koalicionit: “Kuvendi dështoi me reformat kryesore”
Partia Demokristiane e ka konsideruar dështim punën e bërë nga Kuvendi gjatë kësaj legjislature. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ndue Shpani, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se gjatë kësaj legjislature nuk u realizua asnjë nga reformat e rëndësishme për vendin, madje është bllokuar, sipas tij, reforma zgjedhore. “PDK shpreh shqetësimin e saj lidhur me bllokimin e reformave kryesore dhe e konsideron dështim të Kuvendit dhe të forcave kryesore politike shtyrjen e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe të ligjit për dënimin e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve për sesionin e ardhshëm parlamentar”, - është shprehur Shpani, ndërsa i konsideron vonesat në kryerjen e reformave të dëmshme për procesin e integrimit të vendit. “PDK-ja gjykon se vonesa në kryerjen e reformave kryesore në vend dëmton rëndë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, që janë angazhimi ynë kryesor”, - është shprehur Shpani. Për këtë arsye PDK-ja kërkon mbledhjen e tryezës së koalicionit qeverisës për të përcaktuar afate për realizimin e reformave që i janë premtuar qytetarëve shqiptarë.
“PDK-ja kërkon që të mblidhet tryeza e koalicionit të partive të maxhorancës, ku të diskutohen dhe të përcaktohen angazhime dhe afate konkrete për kryerjen e reformave më të rëndësishme që të përmbushim me sukses premtimet që i bëmë elektoratit shqiptar tre vite më parë, por edhe angazhimet që kemi marrë para institucioneve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”, - është shprehur Shpani. Nga ana tjetër, PDK-ja mendon se gjatë kësaj legjislature janë bërë përpjekje për shkelje të Kushtetutës, duke bërë pazare politike midis palëve. “Gjatë legjislaturës së kaluar, pavarësisht bilancit propagandistik për sukseset e Kuvendit, pati një mungesë të theksuar vullneti politik për kryerjen e reformave më të rëndësishme, ndërkohë që u shfaqen tendenca të rrezikshme për deformimin e reformave nëpërmjet pazareve politike, apo përpjekjeve për të kufizuar pavarësisë e institucioneve të pavarura kushtetuese. PDK-ja vëren me shqetësim se gjatë sesionit të kaluar Kuvendi u përfshi në konflikte të panevojshme me institucionet e tjera kushtetuese, ndërkohë që shpesh seancat parlamentare u degraduan në konflikte skandaloze që dëmtuan rëndë imazhin e Kuvendit të Shqipërisë në publik dhe tek partnerët tanë ndërkombëtarë”, - është shprehur Shpani në emër të demokristianëve. Ai ka cilësuar si një nga aktet më të dënueshme të kësaj legjislature përzënien nga salla e Kuvendit të diplomatëve të vendeve mike, gjatë seancës, kur raportonte në Kuvend, prokuroja e Përgjithshme, Ina Rama. Sipas tij, është hera parë në vitet e pluralizmit politik që partnerët ndërkombëtarë vënë në dyshim besueshmërinë e Kuvendit dhe diplomatët e rëndësishëm të vendeve mike paralajmërojnë se Shqipëria po bën hapa mbrapa duke rrezikuar anëtarësimin e plotë në NATO.
7 Gusht 2008