SHISH, Kuvendi s'e përfshin në kalendarin tre javor

Konferenca e kryetarëve ka vendosur që draftin e SHISH-it të mos e përfshijë në kalendarin tre javor të punimeve
TIRANË - Drafti i mazhorancës për Shërbimin Informativ Shtetëror nuk do të jetë objekt i axhendës parlamentare edhe për tre javët në vijim. Konferenca e kryetarëve e mbledhur dje në mesditë ka vendosur që të mos e përfshijë në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit, duke e shtyrë në një kohë të pacaktuar miratimin e saj.
Sinjalet për ngrirjen e procedurave i lëshoi dy ditë më parë zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Ky i fundit, përmes një bashkëbisedimi me gazetarët, deklaroi nga selia e Ministrisë së Punëve të Jashtme se përmirësimi i ligjit ekzistues do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë me Bashkimin Europian dhe me NATO-n.
Ndërkohë, drafti i miratuar tashmë nga Komisioni i Ligjeve dhe ai i Sigurisë i është kaluar për të dhënë ekspertizën e vet misionit të Bashkimit Europian EURALIUS, i cili do të bëjë dhe vërejtjet për nenet e veçanta, për të cilat janë shprehur rezerva si nga SHISH, ashtu edhe ndërkombëtarët. Tre janë dispozitat ku dhe pritet të ndërhyhet në këtë draft dhe pikërisht neni 2, 3 dhe 9 i tij.
Në nenin 2 ku përcaktohen detyrat e SHISH-it e konkretisht në paragrafin dhjetë thuhet se shërbimi në përmbushje të detyrave të tij për bashkëpunimin dhe marrjen e informacionit për shërbimet e tjera duhet të marrë paraprakisht në parim pëlqimin e kryeministrit. Problematik për sa i përket pavarësisë politike konsiderohet edhe neni 3 i draftit paragrafi 7, nëpërmjet të cilit përcaktohet se drejtori i SHISH-it i raporton kryeministrit në çdo kohë për çështjet që lidhen me veprimtarinë e tij.
Një tjetër pikë e këtij projekti që ka shkaktuar mosmarrëveshje mes vet këtij shërbimi dhe shumicës qeverisëse është edhe neni 9, i cili siç mësohet është vendosur në projektligj nga mazhoranca pa pëlqimin e drejtuesve të SHISH-it. Bëhet fjalë për dispozitën kalimtare, me anë të së cilës përcaktohet se brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve bëhet zgjedhja e drejtorit të ri të SHISH, i cili do të ketë një mandat 5-vjeçar.