E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet në Durrës traktori i vjedhur në Afrikën e Jugut

VJEDHJA/ Policia ka zbuluar në fshatin Maminas një traktor, i cili rezultoi të ishte vjedhur në qershor të vitit të kaluar


DURRËS - Zbulimi për vjedhjen e një traktori e aq më tepër një vjedhje e kryer në Afrikën e Jugut, ka habitur jo pak policinë e Durrësit. Rastet e vjedhjes së makinave të luksit janë kthyer në një fenomen të njohur tashmë për blutë që kanë sekuestruar një traktor të vjedhur mbi 9 000 kilometra larg, në skajin ekstrem të kontinentit afrikan dhe që ishte shitur në Maminas të Durrësit.


Madje edhe punonjësit e policisë kur kanë kërkuar që të gjejnë itinerarin e rrugëtimit të traktorit te vjedhur në Afrikë, ndërsa u është dukur e pabesueshme që të dhenat përputheshin me të dhënat e ardhura nga Afrika e Jugut.


Traktori është zbuluar në fshatin Maminas të Durrësit nga të dhënat e marra në policinë kufitare. Zotëruesi i mjetit që e kishte në përdorim ka deklaruar se nuk e dinte që traktori kishte qenë i vjedhur.


Vjedhja e traktorit kishte ndodhur para pak kohësh, saktësisht rreth datës 24 qershor të vitit të kaluar. Dhe është e habitshme se si për një mjet me një vlere jo dhe aq të madhe, rreth 5-6000 $, të rrezikohet kaq shumë. Bëhet fjalë për traktorin bujqësor me targë jugafrikane TV 055069, i shpallur në kërkim nga policia ndërkombëtare.


Por më tepër se rasti deri më tani i izoluar i traktorit hetuesit janë duke e marrë çështjen me mjaft seriozitet, pasi kanë dyshime se kjo ngjarje mund t'i çojë në një itinerar të panjohur të trafikantëve të makinave të vjedhura.


Dyshimet e para bien mbi një rast ku trafiku është kryer në rrugë detare ndonëse një anijeje i duhet mesatarisht 3-4 javë për të mbërritur nga ekstremi jugor i Afrikës në brigjet shqiptare. Policia ka bërë sekuestrimin e mjetit, si dhe ka marrë në ndjekje penale pronarin e fundit të traktorit, i cili gjatë rrugës nga Afrika deri në Durrës mund të ketë ndërruar shumë pronarë.


Policia


Rreth këtij rasti të rrallë, policia njofton se filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 49-vjeçarit Y.K., banues në Maminas Durrës. Procedimi penal ndaj tij filloi për arsye se nga verifikimet e kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit mbi mjetin traktor bujqësor me targa TV 055069, ky i fundit rezultoi i vjedhur në Afrikën e Jugut me datë 24 qershor 2009. Policia deklaron se u bë sekuestrimi i mjetit në fjalë dhe materialet për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Paradoksi


Nëse pronari legjitim i traktorit do të kërkonte që t'i rikthehej mjeti i tij, mbase çmimi i transportit do të tejkalonte vlerën e vërtetë të traktorit të vjedhur në Afrikën e Jugut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›