Përmbytjet, banorët e Anës së Malit protestojnë për dëmshpërblimet

SHKODËR - Banorët e fshatit Obot të komunës Ana e Malit, fshati më i dëmtuar nga përmbytjet e janarit dhe shkurtit të këtij viti, kanë protestuar të martën pranë prefekturës së Shkodrës, pasi janë kundër dëmshpërblimit që u është caktuar për të marrë.
Mbi 40 banorë të Obotit dhe Oblikës kanë tentuar të takohen me drejtuesit e lartë të pushtetit vendor në Shkodër, por sipas tyre prefekti Cungu i ka drejtuar tek Këshilli i Qarkut, ndërsa aty u është thënë se duhet të bëjnë kërkesa personale një e nga një për t'u takuar, pasi në grup nuk është e mundur të takohen. Banorët kanë ngritur akuza ndaj komisionit të verifikimit të dëmeve që, sipas tyre, nuk ka vepruar me korrektesë dhe kundërshtojnë çmimin e dëmshpërblimit.
Banorët shprehen se lista e publikuar është krejtësisht e njëanshme dhe nuk është bërë në bazë të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në këtë zonë. "Nuk është e drejtë që dikush të marrë miliona e dikush disa dhjetëra mijëra lekë. Të gjithë e dinë se i gjithë fshati Obot ka pasur 1,5 - 2 metër ujë dhe dëmet kanë qenë të mëdha.
Me letra kam 7 dynym ullishte dhe 3 dynym grurë të dëmtuar dhe nuk ka ardhë për t'i parë dëmet askush. Kam shkuar tek kryetari i komunës e kudo, por askush nuk ka ardhë dhe emrin nuk e kam në listë",- shprehet një banor i Obotit. Një tjetër banor shprehet se "jemi të pakënaqur nga lista, pasi nuk ka barazi, edhe pse të gjithë jemi mbytë njëlloj.
Shkuam e nuk na pritën duke thënë bëni kërkesë personale. Le të marrë ai që është dëmtuar më tepër, por vlerësimi të jetë real. Kemi komunikuar me personat e grupit të verifikimit dhe na kanë thënë se kemi firmosë siç na kanë thënë. Nuk jemi dakord me atë çmim se dëmet janë shumë herë më të mëdha. Erdhën dhe shënuan jo sa ishte dëmi se nga 100 pula më shënuan vetëm 15 copë, se nuk japim dot më shumë më thanë.
Na u duken se janë njerëz të drejtë, por na mashtruan se tani që kanë dalë shifrat rezulton shumë më pak seç na u tha". Lekë Fusha, anëtar i këshillit të komunës Ana e Malit, shprehet se lekët e ndihmat për të përmbyturit në këtë komunë janë ndarë sipas preferencave të drejtuesve të saj. "Jam banor tek pallatet e Oblikës prej 36 vjetësh. Janë 1200 frymë në këto pallate që as ujë nuk u kanë sjellë për të pirë kur ishin përmbytjet, pasi uji i mëparshëm nuk pihej. Ishte detyrë e shtetit që së paku ujin e pijshëm t'ua sillte.
Ndihmat e lekët në këtë komunë janë ndarë sipas interesave personale, farefisnore dhe bindjeve partiake. Njërit i jepen 10 milonë lekë të vjetra për dëmet, tjetrit 5 milionë e tjetrit 70 000 lekë të vjetra. Nuk është mbledhë këshilli i komunës për të diskutuar për dëmet e shkaktuara. E kam të dokumentuar gjithçka".