E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrin votën e KRRT-së 18 projekte publike

18/01/2011  Ndërhyrje në infrastrukturë dhe blloqe banimi. Gjika: Fatkeqësisht nuk u miratua buxheti

VLORE- Mbledhja e parë e KRRT të Bashkisë Vlorë është çelur me diskutimin e 18 projekteve publike, ndërhyrje në infrastrukturë, kryesisht në rrugë e blloqe banimi, si dhe diskutimin e detyrës së projektimit për hartimin e masterplanit të rrjetit të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha në qytetin e Vlorës.

Prezantimi

Me cilësinë e kryetarit të këtij këshilli, kreu i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, pasi ka përcjellë urimet për një vit të mbarë në këtë këshill dhe një bashkëpunim të frytshëm, siç ka qenë deri tani në kuadër të zhvillimit urban të qytetit të Vlorës, tha se në këtë mbledhje të parë do të diskutoheshin 18 projekte publike, që mbulohen me financimet e Bashkisë Vlorë dhe të ardhurat e saj”. Administrata ka kaluar në datën 23 dhjetor konform të gjitha ligjeve buxhetin financiar, i cili po brenda kuadrit ligjor ka marrë miratimin. Ne kishim parashikuar që pas kësaj të zhvillohej mbledhja e Këshillit të Territorit për të diskutuar këto projekte, që janë në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Vlorës, për të përmirësuar infrastrukturën dhe standardet cilësore të jetesës në komunitet dhe blloqet e banimit. Për fat të keq ky buxhet është kthyer mbrapsht nga institucioni i prefektit të qarkut. Nuk po i hyj sot analizës, pasi do të jetë në një mbledhje tjetër që është jashtë vëmendjes suaj dhe jashtë kompetencave tuaja në kuptimin formal dhe ligjor, kështu që sot jemi mbledhur për të diskutuar dhe analizuar këto projekte që Bashkia e Vlorës ju ofron qytetarëve të saj për të përmirësuar standardet në qytet. Janë projekte të hartuara nga stafi i Bashkisë së Vlorës, të cilat janë të mbështetura dhe garantuara 100% nga financat e Bashkisë Vlorë, kështu që unë ju kërkoj që të diskutojmë së bashku me seriozitet për t’i hapur rrugë interesave, që normalisht të gjithë kemi në plan të parë, interesave të qytetit dhe qytetarëve, për të vijuar procedurat e tjera, rishqyrtimin e buxhetit në Këshillin Bashkiak dhe procedurat e tjera që parasheh ligji për prokurimin publik. Projektet janë prezantuar nga përfaqësues të Drejtorisë së Projektimit në Bashkinë Vlorë. Në këshill janë diskutuar detaje, duke sjellë edhe detaje për përmirësime, vërejtje, të cilat janë marrë parasysh për zbatimet. Projektet kanë marrë miratimin në këshill.

Projektet e miratuar:

Rikonstruksion i rrugëve “Dëshmorët”, “Kastriot Gjini”, “Beniamin Kruta”, “Abedin Nepravishta”

Sistemim asfaltim i segmentit rruga “Çajupi”

Sistemim i trotuareve në rrugën “Demokracia”

Sistemim i rrugëve të brendshme të zonës nga Bashkia tek hyrja e qytetit.

Sistemim i rrugës “Dervish Hekali-Enriko Veizi”

Sistemim i rrugës “Vasil Talo” përgjatë fushës së Aviacionit

Sistemim i rrugës “Zahir Pajaziti” dhe “Bilal Golemi”

Sistemim i rrugës “Petro Marko” tek shkolla Tregtare

Sistemim asfaltim i Bllokut tek dy katërshet

Sistemim dhe zgjerim i trotuareve dhe ambienteve të gjelbra në rrugën “Çamëria” dhe “Murat Tërbaçi”

Sistemim asfaltim i Bllokut tek pallatet e Gorrishtit

Sistemim asfaltim i rrugëve të brendshme ndërmjet rrugëve “Gjergj Kastrioti- Zenel Gjoleka-Mehmet Pash Derralla”

Sistemim asfaltim i Bllokut tek ish-fabrika e Orizit

Sistemim asfaltim i rrugës në bllokun e 7 pallateve

Sistemim asfaltim i segmentit rrugor “Transballkanike- Kampi i Pionierëve”

Ndriçim dhe gjelbërim i rrugës Transballkanike

Spostim linje KUZ në krah të rrugës Transballkanike

Detyrë projektimi për hartimin e masterplanit të rrjetit të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha në qytetin e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›