E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Martit, Kryeprokurorja Rama takim me hetuesen e EULEX-it, Arnal

18/01/2011  Diskutohet hetimi i përbashkët i trafikut të organeve në Shqipëri

TIRANE- Kryeprokurorja Ina Rama ka zhvilluar një takim me delegacionin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të kryesuar nga Kryeprokurorja e EULEX, Isabelle Arnal, dhe nga Zëvendësprokurorja Sevdije Morina. Gjatë takimit të kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës u diskutua lidhur me konkluzionet e raportit të hartuar nga raportuesi i KiE, Dick Marty, si dhe për akuzat që ngrihen në këtë raport, të cilat vendosen në territorin e Shqipërisë. Qëllimi i takimit ishte hartimi i një strategjie për bashkëpunimin për të ardhmen midis dy institucioneve në hetimin e këtyre akuzave dhe bashkërendimin e veprimeve hetimore. Prokuroria shqiptare, përveç detajeve teknike lidhur me këtë ngjarje, ofroi bashkëpunimin e saj për hetimin e tyre në bazë të kërkesave të Prokurorisë speciale të Kosovës. Raporti i Dick Martyt akuzonte ushtrinë e Kosovës dhe Kryeministrin në detyrë të saj Hashim Thaçi se ai dhe persona të tjerë kanë kryer trafik organesh në territorin shqiptar. Sipas Martit, argumentet janë nxjerrë nga disa dëshmi të personave të marrë peng, të cilët kanë treguar sesi UÇK-ja vriste robërit serbë dhe më pas u hiqte organet. Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria shqiptare ka kryer një hetim me prokurorët e Hagës, por gjatë investigimit një gjë e tillë nuk u konfirmua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›