E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marseja e Canes: “Nuk kemi frikë nga Liverpuli”

Lorik Cana, kapiteni i Marsejës do të luajë sot në "Anfild", atje ku skuadrat franceze nuk kanë fituar kurrë, duke e bërë akoma më të vështirë detyrën e Erik Gerets në debutimin e tij si trajner i Marsejës. Humbja e vetme e Liverpulit në Ligën e Kampioneve, në fazën e grupeve, ishte ajo me Gallatasarijin, i drejtuar nga askush tjetër, por vetë belgut Gerets. Marseja siguroi një barazim 1-1 në vizitën e fundit në Angli në Kupën UEFA (2004), përpara se të fitonte ndeshjen e dytë 2-1 në shtëpi. Marseja është në krye të Grupit A duke mundur Beshiktashin 2-1, pavarësisht se në kampionatin francez ka arritur vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e para, duke sjellë edhe shkarkimin e trajnerit Albert Emon. "Ne jemi të qartë se nuk është një ndeshje e lehtë, por nga ana tjetër nuk duhet ta teprojmë", - tha presidenti i Marsejës, Pape Diouf. "Është ndeshja jonë e parë e erës së re. Është një ndeshje e rëndësishme për ne, për trajnerin dhe na duhet të qendrojmë optimistë". Liverpuli, që humbi me Milanin në finalen e vitit të kaluar, barazoi me Porton në ndeshjen e parë të tij. Marsejëzët kanë informacione të brendshme për të "Kuqtë", falë lojtarëve Xhibril Sise dhe Boudevijn Zenden, të cilët u transferuan gjatë verës nga Liverpuli. "Është një ekip shumë i organizuar, shumë kompakt", -tha anësori holandez, Zenden. "Mbrojtësit e Liverpulit nuk të falin një centimetër. Janë të shpejtë dhe të fuqishëm në kundërsulm". Sise pohon se kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherard si kërcënimin më të madh. "Xherard është një nga lojtarët më të mirë në botë në pozicionin e tij, ai është i mrekullueshëm", - tha sulmuesi i Francës. "Ndonjëherë të duket se ai mund të fitojë një ndeshje krejt i vetëm. Ai ka aftësitë të tilla që të dominojë takimi, të kthejë lojën në favorin e tij". Një fitore e Liverpulit mund të zgjasë pathyeshmërinë në start në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni në 12 ndeshje, ndërsa portieri Hoze Reina mund të thyejë rekordin 30-vjecar nësë ai do të ruajë të paprekur portën për gjashtë ndeshje me radhë, duke mos llogaritur penalltitë. Ndeshja kundër Marsejës do të jetë e 50-ta në Ligën e Kampioneve për trajnerin Rafa Benitëz me Liverpulin (36) dhe Valencian (14). Fernando Torres do të luajë ndeshjen e parë me Liverpulin në Ligën e Kampioneve, pas politikës së rotacionit të vendosur nga trajneri. Për Marsëjën e kapitenit Lorik Cana, nuk do të luajë, lojtari më i rrezikshëm i saj, mesfushori i Kombëtares së Francës, Samir Nasri, për shkak të një infeksioni viral.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›