Njësia Speciale e pakënaqur me pagat

Një numër policësh të Departamentit të Njësive të Specializuara janë tubuar në Qendrën e Trajnimit të Kishnicës, nga dita e djeshme, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me sistemin e ri të pagave.
Zyra për Informim e Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë, ka njoftuar sot nëpërmes një komunikate, se zëvendësministri i Punëve të Brendshme, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe ndihmësdrejtori për Operativë menjëherë kanë shkuar për t’i vizituar dhe për të komunikuar me zyrtaret policorë lidhur me kërkesat e tyre dhe për mënyrën e zgjidhjes së kësaj pakënaqësie të shfaqur.
“Këto njësi kanë pritur shtesa më të larta nga sistemi i ri i pagave dhe si rezultat i saj janë tubuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre”, thuhet në komunikatën shpërndarë medieve.
Puna policore dhe angazhimet e këtyre pjesëtarëve në detyra ditore thuhet se nuk janë ndërprerë. “Ata i janë përgjigjur detyrave të caktuara, por zyrtarët policorë të cilët janë jashtë detyrës zyrtare po shprehin pakënaqësitë e tyre”.
Menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ka formuar një grup punues për rishikimin e sistemit të ri të pagave. “Për ndonjë lëshim teknik eventual të mundshëm, në mënyrë retroaktive do t’u bëhet kompensimi i mjeteve”, premtojnë drejtuesit e policisë.
Po ashtu, sot janë mbajtur disa takime dhe diskutime ndërmjet menaxhmentit të lartë të policisë, Sindikatës së policisë, udhëheqësit e njësive përkatëse, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë për tejkalimin e kësaj situate.