E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varroset me nderime Fadil Ferati

Përfaqësues të institucioneve të vendit, të partive politike, familjarë dhe qytetarë të shumtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit kryetarit të Komunës së Istogut, njëherësh nënkryetar i LDK-së, Fadil Ferati.

Ferati ndërroi jetë të dielën, në moshën 50-vjeçare, në një spital të Gjermanisë, pas një sëmundjeje të rëndë.

Në një mbledhje komemorative, presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka thënë se ndarja nga jeta e Feratit e la komunën e Istogut pa një prijës të madh, ndërsa Prishtinën pa një personalitet që të ketë mbështetjen e fuqishme të bazës nga vinte.

“S’kemi si të mos i vërejmë gjurmët e punës së tij si këtu në Istog, ashtu edhe në Prishtinë. Së këndejmi, ndarja e tij nga jeta është dyfish më e rëndë. Ai e la Istogun pa prirje, ndërsa Prishtinën pa një personalitet që të ketë mbështetjen e fuqishme të bazës nga vinte, veçori kjo që e bënte atë të autoritetshëm kudo”, ka thënë presidenti Sejdiu.

Kurse Haki Rugova, nënkryetar i Komunës së Istogut, tha se Ferati gjatë gjithë jetës punoi me përkushtim, duke kryer të gjitha detyrat me sukses dhe përgjegjësi të lartë morale.

“Sado që e themi se ka ndërruar jetë, serish kemi një zë brenda vetes që na thotë se ai është gjallë dhe se frymon bashkë me ne. Por ja që njerëzit e mëdhenj Zoti i merr pranë vetes, duke mos i lënë të jetojnë më, prandaj jemi të bindur se misionin tënd të cilin e pati në jetë deri këtu e kreu me sukses dhe me përgjegjësi të lartë morale”, ka thënë Rugova.

Trupi i Fadil Feratit do të prehet në vendlindjen e tij në Gurrakoc të Istogut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›