E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia, shpresë për dy fëmijë të plagosur

Vajza në koma lëviz gjymtyrët. Djali me mushkëri të dëmtuar përfundon me sukses operacionin

Tre fëmijë të moshave nga 4 deri në 12 vjeç po marrin trajtim të specializuar në shërbimin e reanimacionit në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërsa gjendja e njërit prej pacientëve, që u operua në mushkëri, paraqitet jashtë rrezikut për jetën, dy vogëlushët e tjerë ndodhen në një stad më kritik. Por mjekët kanë dhënë një lajm pozitiv për vëllezërit Mustafa. Motra e tyre, 8-vjeçarja që ndodhet në koma, ka lëvizur gjymtyrët. Kjo, sipas mjekëve, është një shenjë e mirë, për të zgjuar shpresat e tyre dhe të familjarëve. Ndërkohë, drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, ka sqaruar se në rast se gjendja e dy pacientëve nuk ka përmirësim, do të shqyrtohet mundësia që ata të dërgohen për trajtim në spitalet jashtë vendit. Tragjedia e ndodhur tri ditë më parë në fshatin Dom të Komunës Gjegjan tronditi opinionin publik në vend me 14 viktimat, mes të cilëve tre fëmijë, ndërsa tre të tjerë ende në rrezik.

Në korridoret e Spitalit Ushtarak mbizotëron një situatë e dhimbshme, rrëqethëse, aq sa shpesh të ndodh të kapërdish lotët teksa sheh të moshuar, të rinj e fëmijë që luftojnë me vdekjen për të fituar të drejtën e jetës. Situatë e rëndë, edhe pse për ta ka ende shpresa. Të paktën ata mundën t’i mbijetonin këtij aksidenti vrastar. Pasojat në njerëz ishin të mëdha, por fati i keq ka prekur sidomos familjen Mustafa. Gjatë udhëtimit me autobus nga Durrësi për në Pukë ata ishin plot 7 persona, babai, nëna dhe 5 fëmijët: dy djem dhe tri vajza. Aksidenti i rëndë ka marrë jetën e nënës, Lavdije Mustafa, të babait, Ademit dhe të njërës prej vajzave, Elonës, e cila ishte vetëm 12 vjeçe.

Ata nuk mundën t’i mbijetonin kësaj tragjedie, por për fat të mirë 4 fëmijët e tjerë të kësaj familje janë ende gjallë, edhe pse të frikësuar dhe të shqetësuar për mospraninë e prindërve të tyre. Sipas mjekëve që po mbajnë nën vëzhgim pacientët në Spitalin Ushtarak, gjendja shëndetësore e njërës prej vajzave, Raisa Mustafa, është ende kritike. Ajo ndodhet në koma cerebrale, por dje ka dhënë një shenjë të mirë, ka lëvizur gjymtyrët. Në pavijonin e kirurgjisë janë të shtruar edhe tre fëmijët e tjerë të kësaj familjeje, Mirlinda, 15 vjeçe, Armando, 8 vjeç dhe Mirsadi vetëm 4 vjeç. Ata u janë nënshtruar prej tri ditësh të gjitha trajtimeve dhe ekzaminimeve mjekësore. Për fat të mirë, mjekët thonë se gjendja e tyre shëndetësore është duke u përmirësuar me kalimin e ditëve. 4-vjeçari ka vetëm disa fraktura dhe të qepura të lehta, por në shtratin që ndodhej në krahun e djathtë të tij ishte i shtrirë Armandoja, i cili ka disa të qepura në fytyrë, por edhe në krah e këmbë. Ai duket i shokuar. Edhe pse familjarët, por sidomos daja e fëmijëve kujdeset për ta gjatë gjithë kohës, duke i bërë për të qeshur, apo duke i përkëdhelur, si për të larguar mendjen e tyre nga ajo që ndodhi.

Kur shkuam në spital dhe hymë në dhomën e pacientit të vogël, 8-vjeçari ishte strukur në një cep të shtratit dhe teksa rrinte i shtrirë, faqet i shkëlqenin nga lotët që i rridhnin vazhdimisht. Ishte aq i tronditur sa nuk mund të fliste. Ndërsa njëra prej vajzave të kësaj familjeje, Miranda Mustafa, 15 vjeçe, u është nënshtruar dje ndërhyrjeve kirurgjikale. Gjendja e saj shëndetësore, sipas mjekëve, paraqitet në përmirësim e sipër.

Daja e tyre, i lënduar thellë në shpirt, gjente ende forcën për t’i ledhatuar e kujdesur për ta, edhe pse dy ditë më parë kishte varrosur motrën, kunatin dhe mbesën 12-vjeçare. Ai përtypte lotët dhe tregonte për këtë histori të dhimbshme që kishte pushtuar zemrat e tyre, me zë të ulët, pasi nuk donte që fëmijët të dëgjonin për humbjen e prindërve të tyre. “Ndihem jashtëzakonisht keq, më duket sikur më është shkëputur një pjesë e zemrës sime. Kjo situatë ishte tejet tronditëse. Jam i shokuar, por edhe i detyruar të gjej forcën për të qenë pranë fëmijëve në këto momente të vështira”, rrëfen daja i fëmijëve të familjes Mustafa. Ata janë të vegjël, të pafajshëm, fatkëqij për humbjen e prindërve, por fatlumë që Zoti u dha një tjetër mundësi për të jetuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›