E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martesat "gay", klerikët: është mëkat

Kisha Katolike, ajo Ortodokse, si edhe Komuniteti Mysliman shqiptar kanë reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Kryeministrit Sali Berisha për të mbështetur ligjërisht martesat e homoseksualëve në Shqipëri. Ndonëse kreu i qeverisë i ka paraprirë hapjes së një debati të fortë lidhur me këtë çështje, duket se nuk e ka llogaritur reagimin kaq të fortë të të gjithë komuniteteve fetare kundër vendimit të marrë prej tij. Madje, as veshja e kësaj vendimmarrje nën pretendimin e eliminimit të diskriminimit, apo arritjes së standardeve dhe integrimit europian, duket se nuk do ta shpëtojnë qeverinë "Berisha" nga nomatisja fetare.

Drejtuesit e këtyre komuniteteve kanë qenë të prerë dhe të qartë në qëndrimin e tyre kundër lejimit me ligj të martesave mes homoseksualëve.

Selim Muça, kryetar i Bashkësisë Islame - Komuniteti Mysliman Shqiptar, tha se një iniciativë e tillë është e papranueshme dhe ajo nuk duhet të kalojë për ligjërim në Parlament. "Kurani e ndalon në mënyrë kategorike mundësinë e martesave homoseksuale, jo më kot janë krijuar femra dhe mashkulli, për t‘u bashkuar mes tyre dhe për të siguruar vazhdimësinë e njerëzimit", ka pohuar Selim Muça, përfaqësues i komunitetit më të madh fetar në vendin tonë.

Edhe Kisha Katolike nëpërmjet Mon Sinjor Gergj Frendo, ka kundërshtuar miratimin e një ligji të tillë që, sipas saj, cenon konceptin e martesës dhe shenjtërinë e familjes shqiptare. Ndërkohë, Kisha Ortodokse deklaron se kjo çështje duhet të rishikohet dhe qeveria të angazhohet me problemet sociale të shoqërisë, pasi shoqëria shqiptare ruan një moral të shëndetshëm familjar e shoqëror.

Mon Sinjor Gergj Frendo përdor Biblën si argument të fortë kundër martesës homoseksuale, duke deklaruar se martesa mes dy sekseve të njëjta është mëkat dhe se ndalohet nga Bibla e shenjtë. "Martesa është bashkim i burrit dhe i gruas. Ne nuk kemi asnjë aftësi të dënojmë ose të gjykojmë homoseksualët, megjithatë nuk mund të injorojmë faktin që sipas planit të Zotit martesa është bashkim i dy sekseve të ndryshme. Fatkeqësisht sot ligje të tilla konsiderohen si shenja përparimi, por në të vërtetë nuk është ashtu, përkundrazi është detyrë e çdo shteti ta mbrojë martesën. Ne si të krishterë pranojmë martesën e dy sekseve të ndryshme, nuk është e pranueshme ideja që martesa të bëhet mes dy sekseve të njëjta", u shpreh Mon Sinjor Gjergj Frendo.

Nga ana tjetër, peshkopi Andon Merdani, i Kishës Ortodokse, ka theksuar se kjo martesë nuk mund të aprovohet nga ana fetare.

"Për Kishën Ortodokse, ashtu si edhe për shumë kisha të tjera, veprimi dhe akti që kryhet mes dy njerëzve të së njëjtës gjini është i dënueshëm. Për këtë arsye, çdo lloj veprimi, aq më tepër kur ato bëhen edhe ligjore, nuk shikohen me sy të mirë dhe nuk mund të aprovohet nga ana jonë si besimtarë dhe si kishë. Mendoj se është diçka e nxituar, pasi në Shqipëri ka probleme të mëdha sociale", tha ai.

E duket se përveçse me zemërimin e kishave dhe xhamive Berisha do të duhet të përplaset edhe me shkrirjen e imazhit të tij prej "burri të fortë". Kjo, për shkak të mazhorancës së opinionit shqiptar lidhur me çështjen e martesave të homoseksualëve.

Aktualisht, vetëm tre nga 27 vendet europiane, Holanda, Belgjika dhe Norvegjia e kanë të ligjëruar martesën homoseksuale, një përpjekje e njëjtë te fqinji ynë Italia ngjalli reagimin e fortë të Vatikanit.

Deklarata

Kryeministri Sali Berisha, duke folur në Komitetin Ndërministror për Integrimin i cili miratoi plan veprimin për dialogun e liberalizimit të vizave, tha se një ligj tjetër shumë i rëndësishëm është ai kundër diskriminimit. Kryeministri pohoi se ky ligj është përgatitur dhe ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Berisha tha se mbetet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Kurse dha mendimin personal se "pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm".

Homoseksualët italianë: Do shkojmë të jetojmë në Shqipëri

Mediat e huaja përqendrojnë vëmendjen te martesat gay në vendin tonë

Shoqata e homoseksualëve italianë "Arcigay" paralajmëron se do të shpërngulet drejt Shqipërisë tani që në këtë vend do të lejohen martesat gay. Një lajm ky që duhet të gëzojë Ministrinë e Turizmit, e cila do të raportojë shifra më të larta turistësh nga bota. "Komuniteti homoseksual italian do të shkojë të jetojë pas disa muajsh në Shqipëri. Një tjetër vend europian po i tregon Italisë se çfarë do të thotë të rritesh në të drejtat civile dhe sociale", pohon shoqata "Arcigay". E përveç ankesave ndaj qeverisë së tyre, ata nuk kanë lënë mënjanë ovacionet për veprimin e kreut të qeverisë shqiptare. Sipas tyre, "me këtë ndërhyrje parlamentare, Kryeministri Sali Berisha e ka përcaktuar si të papranueshme diskriminimin e personave gay, duke shpjeguar se me adaptimin e këtij ligji Shqipëria do t‘i afrohej Europës. Ata kanë përfituar nga ky qëndrim për të goditur shtetin e tyre, për të cilin u shprehën se "vetëm në Itali politika si ajo e djathtë dhe e majtë nuk është e aftë as të diskutojë të drejtat e personave homoseksualë dhe tashmë jemi të fundit në Europë ku familjet homoseksuale nuk kanë asnjë lloj njohjeje". Në fund të qëndrimit të tyre, shoqata e homoseksualëve italianë thekson se "në muajt e ardhshëm, në shenjë të këtij zhvillimi kulturor dhe social do të organizojmë barka për të kaluar Adriatikun dhe për të shkuar e për të ndërtuar marrëdhëniet tona në këtë vend ballkanik".

Një reagim mjaft optimist dhe madje entuziast ka manifestuar dje edhe Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT (lesbike, gay, biseksual, transxhender). Ajo pohon se e ka mirëpritur deklaratën e Kryeministrit Berisha në mbështetje të ligjit kundër diskriminimit dhe të drejtës së martesës për personat gay në Shqipëri. "Shpresojmë të kemi mbështetjen e të gjitha palëve dhe miratimin e ligjit kundër diskriminimit sa më shpejt pas fillimit të sezonit të ri parlamentar. Ky nuk është vetëm një hap drejt integrimit europian, por i shërben kryesisht emancipimit të shoqërisë shqiptare. Ne jemi krenarë që vendi ynë po i bashkohet shumë vendeve të tjera, duke mbështetur barazinë dhe duke refuzuar diskriminimin ndaj personave homoseksualë, biseksualë dhe transxhender", thuhet në deklaratën e kësaj aleance.

Por, edhe lajmi se Shqipëria do të njohë me ligj martesat "gay" ka tërhequr vëmendjen edhe të shumë mediave ndërkombëtare. Kështu, "Associated Press" duke iu referuar deklaratave të Kryeministrit "Berisha", thekson se vendi ynë e ka shumicën e popullsisë myslimane dhe se e drejta e besimit ndalohej gjatë periudhës së regjimit komunist në vitet 1944-1990. "Earthtimes" në faqen e saj të internetit thekson se "homoseksualiteti dënohej me 10 vite burg në periudhën e komunizmit". Britanikja "Pinknews" bën të ditur se komisionerët e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut kanë vënë në dukje problemet që vuajnë homoseksualet në Shqipëri. A.Rr.

PDK:

Berisha tallet me shqiptarët

PDK-ja ka denoncuar atë që e cilësoi si talljen e fundit me shqiptarët dhe BE-në të Kryeministrit Berisha lidhur me martesat gay. PDK-ja e vlerëson propozimin e Kryeministrit si një përpjekje djallëzore për të larguar vëmendjen nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare dhe nga ato që Kryeministri u ka krijuar qytetarëve gjatë qeverisjes së tij. "Nëse flasim për të drejtat njerëzore në Shqipëri, Kryeministri ka një listë të gjatë shkeljesh dhe dhunimesh të të drejtave themelore që u ka bërë qytetarëve të vendit të tij, duke filluar me të drejtën për të votuar të lirë si të gjithë qytetarët e vendeve të BE-së, për të vazhduar me të drejtën e pronës, të drejtën e dëmshpërblimit dhe të integrimit, të ish të dënuarve politikë, të drejtën e punës, të barazisë së qytetarëve para ligjit dhe shumë të drejta të tjera që burojnë nga Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar në fuqi", thuhet në deklaratën e PDK-së. Ata e denoncojnë këtë ligj që vjen në kundërshtim me natyrën e njeriut, me besimin te Zoti dhe natyrën e shenjtë të familjes dhe u bën thirrje të gjithë faktorëve të shëndoshë të shoqërisë që ta kundërshtojnë miratimin e këtij ligji që nxit antivlerat, deformimet dhe degradimin e racës njerëzore.

Juristët

Kodi i familjes ndalon martesat gay

Kodi Shqiptar i Familjes nuk i lejon martesat brenda gjinisë,

edhe nëse për këtë mbërrin një projektligj në Parlament. Më parë duhet ndryshuar Kodi dhe për këtë nevojiten 84 vota nga 140 deputetë. Një shpjegim i tillë vjen nga Aureola Anastasi, drejtore e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Ajo thotë se "nuk ka një pikë në draftin e përgatitur nga organizatat për të drejtat e njeriut në vend, ku të kërkohet legjitimimi i martesave mes homoseksualëve, por edhe nëse do të kishte një të tillë, ky ligj nuk do të mund të kalonte për miratim në Parlament, pasi më parë, do të duhej të ndryshohej Kodi i Familjes". Në të vërtetë, Kodi i Familjes përcakton se martesë konsiderohet ai veprim që kryhet mes mashkullit dhe femrës. Pra, përjashtohet ligjërisht që të funksionojnë qoftë edhe me një ligj shtesë martesat brenda gjinisë. Elsa Ballauri, kryetare e Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, shprehet se "ne jemi iniciatorë të projektligjit kundër diskriminimit të minoriteteve të caktuara. Në draftin që ne kemi paraqitur nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi ndërmend të kërkojmë që të ligjërohen martesat brenda gjinisë".

Ajo theksoi se "ne e konsiderojmë të papërshtatshme për Shqipërinë që të ketë martesa të homoseksualëve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›