E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në emër të Zotit

Njeriu, që është i vëmëndshëm ndaj mësimeve të historisë, mund të arrijë lumturinë. Ngjarja e Ashurasë është një histori e mbushur me mësime, mistere dhe sekrete! Fjala Ashura ka një gjerësi të pa fund dhe kuptimi i saj është dashuri pa fund.
Ashura është një fjalë që ngjall emocione dhe zgjon në zemrat e njerëzve dashurinë për Zotin.
Paqe mbi zemzemin që buron nga Qerbelaja! Paqe mbi ditët e Ashurasë! Rrofshin lirikat plot dashuri për Hysejnin! Paqe mbi qilimat e lagura nga lotët! Paqe mbi zemrat e hidhëruara dhe të trishtura!
Kanë kaluar shumë vite nga ndodhia e Ashurasë, por në zemrat dhe sytë e njerëzve kjo ngjarje ka mbetur e pa harruar. Çdo vit me ardhjen e muajit Muharrem kjo ndodhi përsëritet. Arsyeja është se ky hidhërim nuk merr fund. A na është tramsmetur ashtu siç është në të vërtetë ajo çka ne dëgjojmë për Ashuran?
Kryengritja e Imam Hysejnit kishte për qëllim zgjimin e vlerave dhe rregullave fetare. Imam Hysejni e arriti qëllimin e tij dhe mundi që të ndryshojë themelet e një pushteti të korruptuar dhe të dhunshëm. Ai ringjalli islamin që na la pas Profeti i nderuar, Muhammedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ajo çka evidentohet më tepër në këtë kryengritje është ruajtja e vlerave të vendeve të shenjta të përcaktuara nga Allahu i madhëruar. Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) kur vuri re që po dhunohen vlerat e vendit të shenjtë, Mekës, dhe po rrezikohej jeta e tij dhe e familjes së vet nga dora e zezë e korrupsionit dhe e dhunës, vendosi që të largohet nga Meka. Meka është vendi i shenjtë në të cilin Allahu e ka ndaluar gjakderdhjen .
Një nga mësimet dhe mesazhet e qarta të ndodhisë së Qerbelasë është vëmendja që Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) dhe shokët e tij i kushtonin lidhjes më të ngushtë që njeriu ka me Krijuesin dhe falja e vakteve të namazit në kohë.
Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) i kushtonte shumë rëndësi urdhërave dhe rregullave që Allahu i Madhëruar ka caktuar për të gjithë njerëzinë. Kjo gjë u binte në sy të gjithëve po ashtu edhe ushtrisë së Jezidit.
Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) kur u takua me ushtrinë e Jezidit që e udhëhiqte Hurri, këndoi Ikametin dhe Hurri së bashku me ushtrinë e tij falën namazin me Imam Hysejnin (paqja qoftë mbi të!). Imam Hysejni, (paqja qoftë mbi të) natën e Ashuras i thotë vëllait të tij Abas bin Aliut të marrë leje tek armiku për pushim lufte që, atij vetë dhe shokëve që e shoqëronin tu krijohej mundësia për të falur namazin. Ditën e Ashuras Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) u lajmërua nga Abu Semame Saedi se ka hyrë koha e namazit. Ai tha: “Merrini leje armikut të heqë dorë nga ne sa të falim namazin”.
Një nga veçoritë që vihet re në doktrinën e Ashuras është qëndresa dhe rezistenca. Qëndresa në rrugën e Allahut për të arritur qëllimet më të larta që ka njeriu të cilat janë bindja dhe përkushtimi ndaj urdhërave të Allahut të madhëruar. Në një nga hadithet e Imam Hysejnit lexojmë: "Ndaj asaj që është e vështirë, por të mban në të vërtetën, nevojitet qëndresa dhe durimi, sikurse duhet të jemi të duruar karshi tundimeve dhe dëshirave që na vijnë nga egoja jonë”.
Sipas shkollës së Ehli Bejtit, durimi dhe qëndresa është vetia më e mirë e besimit. Një njeri i tillë ka mësuar se si t’i rezistojë rrugës së drejtë dhe e di se vetëm me durim bëhet e mundur mbajtja mbi supe e flamurit të së drejtës deri në realizimin e qëllimit. Një njeri i tillë dhe një shkollë e tillë bazohet në qëndresën dhe sa më shumë prova, vështirësi dhe fatkeqësi t'i dalin përpara aq më tepër forcohet besnikëria dhe këmbëngulja në këto vlera. Sipas kësaj doktrine, liridashja është rruga e atyre që kur bëjnë të vetin mesazhin e qëndresës nuk ka vështirësi që t'i dalë përpara, sepse janë të mbushur me guxim dhe entuziazëm.
Çdo njeri në çdo situatë dhe me çfardolloj mendimi nuk pajtohet me dhunën dhe shtypjen. Sa më tepër të rritet shkalla e virtytit aq më tepër kundërshtohet dhuna dhe refuzohet kompromisi me dhunuesit.
Doktrina e Ashurasë është shembulli më i mirë për edukimin e një njeriu të tillë. Ata që morën pjesë në këtë ngjarje kanë mësuar se si njeriu edhe në momentet më të vështira të mos heqë dorë nga vlerat që kjo shkollë na mëson.
Imam Hysejni i rrethuar nga shokët sikur guri i çmuar në unazë tha: “Mjerë ne, nëse i nënshtrohemi dhunës. Allahu, Profeti Muhamed (paqja e Allahut qoftë mbi të!) dhe besimtarët e urrejnë nënshtrimin ndaj dhunës”.
Sipas këndvështrimit të Imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) nënat e devotshme, njerëzit e devotshëm dhe shpirtrat e ndërgjegjshëm me dinjitet dhe sedër nuk preferojnë të jenë të nënshtruar dhe nuk pajtohen që nga dora e njerëzve pa ndërgjegje të vriten njerzit e ndershëm.
Ibn Ebil Hadidi, një nga shkrimtarët e Ehli Sunetit për këtë çështje shkruan: “Imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) ju dha mbrojtja, por ai nuk preferoi që të ishte i mbrojtur dhe i nënshtruar. Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) u mësoi njerzëve të mos i nënshtrohen dhunës, të jenë të nderdhëm e me dinjitet e të mos i tremben vdekjes por të preferojnë vdekjen se sa ti nënshtrohen dhunës.”
Në shkollën e Imam Hyseini (paqja qoftë mbi të!) mësimi i mirë është njohja me të këqijat e kësaj bote dhe largimi prej tyre. Sipas këndvështrimit të Martirit të Qebelasë bota i ngjan një shtëpie pa themele të pa qëndrushme e cila mund të shembet nga një moment në tjetrin dhe jeta, prestigji dhe pozita e njerzve në të është e përkohshme.
Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) na mëson që vetëm nëpërmjet lirisë, liridashjes, dijes dhe largimit nga injoranca e paudhësia arrihen virtytet e nese nuk i kemi këto anjëherë nuk do të arrihen virtytet e larta. Sipas doktrinës së Imam Hyseinit (paqja qoftë mbi të!) më i miri nga ju është ai që kupton se njeriu është krijesa më e lartë e universit.
I riu i edukuar me doktrinën e vyer Hysejniane dhe i njohur me thesarin e të vërtetës së tij as nuk mashtrohet nga bota e as nuk e humb jetën e përtejme për hiçgjë. Ai është si profeti Jusuf që ra rob e u burgos, por nuk e humbi fisnikërinë dhe burrërinë e tij.
Vetitë e një nxënësi të tillë mund të përshkruhen kështu me fjalët e ndritura të Imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!): "Të mos humbasë durimin para vështirësive, të mos thyhet para fatkeqësive të mos humbasë fisnikërinë në rast robërie".
Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!), ashtu sikurse Imamët e tjerë të pagabueshëm (paqja qoftë mbi ta!), ishte simboli më i lartë i luftës për drejtësi dhe mësimet më të çmuara të shkollës së tij ishin vendosja e drejtësisë dhe zhdukja e dhunës.
Themeluesi i kësaj shkolle, në fjalën e tij të vyer, ndjekjen e rrugës së drejtë në mënyrë të pandalshme e konsideron si një nga cilësitë e prijësit të shoqërisë islame. Me këtë citim është e lidhur edhe natyra vigjilente e njerëzve lirdashës.
Me fjalë të tjera, drejtësia është matësi i themeleve të gjithçkaje dhe kriteri që vë në provë natyrën e njeriut, vërtetësinë e besimit dhe të bindjes fetare. Në doktrinën e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) drejtësia është struktura mbi të cilën mbështetet bota dhe në të vërtetë, ajo është peshorja hyjnore e përcaktuar për të vendosur të drejtën në popull.
Hirësia e tij, Prijësi i Martirëve (paqja qofë mbi të!) në kohën e vet u mësonte njerëzve se madhështia i përket Zotit dhe njohja e Tij në zemrën e njerëzve të ditur shfaqet në formën e frikës nga Zotit. Në të vërtetë sipas Imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) faza më e lartë e dijes dhe përsosmëria e njohjes është ajo kur njeriu ka frikë nga Zoti.
Një edukim i tillë në shkollën e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi të!) bën që njeriu të mos përkulet përveç se para Zotit. Një i ri, edhe pse në moshën e krenarisë e të kundërshtimit, duhet që njëherazi të njohë fuqinë superiore se vetëm të tillë njerëz nuk do të përkulen kurrë, nuk do të nënshtrohen përpara mjerimit, poshtërsive dhe gënjeshtrave.
Doktrina e Ashurasë është doktrina e edukimit të njerëzve të cilët i tremben vetëm Zotit, sepse dinjiteti i myslimanit të vërtetë qëndron në atë që ai të jetë vetëm rob i Zotit dhe t’i frikësohet vetëm Atij. Ky kuptim është shprehur edhe në fjalën hyjnore që thotë: "mos kini frikë nga njerëzit por më kini frikë Mua". Sikurse thotë Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) njeriu besimtar shpëtimin më të mirë quan shpëtimin e Zotit dhe e di se në se ai që në këtë botë nuk trembet prej Zotit, kurrë nuk do të gjejë shpëtim në ditën e gjykimit.
Një mësim tjetër i vyer i doktrinës Hysejniane është kundërshtimi i dhunës dhe lufta kundër shtypjes. Ky nocion është shprehur në shumë nga thëniet e Prijësit të karvanit të Ashurasë. Ai thotë: "Ashtu sikurse urdhëron i dërguari i Zotit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të!) kushdo që shikon një guvernator të dhunshëm i cili lejon ato gjëra që Zoti i ka ndaluar, shkel marrëveshjen hyjnore, kundërshton traditën dhe ligjet profetike, sillet armiqësisht me robtë e Zotit e nuk i kundërvihet me fjalë e me vepra këtij guvernatori, do të ndëshkohet njësoj si shtypësit.”
Theksimi që Imam Hysejni i bënte çështjes së udhëheqësisë dhe lidhjes së Imamatit me Profetësinë, numërimi i cilësive të udhëheqësit fetar dhe përmendja e Ghadirit dhe hadithit "Thakalein" në prani të një grupi prej rreth një mijë vetësh të përbërë nga sahabët (shokët), pasuesit dhe njerëzit e rëndësishëm në Mena, flet për rëndësinë dhe rolin e udhëheqësisë sipas doktrinës islame.

Përcaktimi i rolit të popullit, nxitja për vepra të mira dhe ndalimi i veprave të këqija në sistemin fetar
Një nga qëllimet më të rëndësishme të prijësit të kryengritjes së Ashurasë ishte përcaktimi i vendit dhe rolit të popullit ndaj udhëheqësisë fetare dhe pushtetit islamik, paralajmërimi i një pjese të madhe të njerëzve të asaj shoqërie injorante që kishin humbur drejtimin dhe nuk njihnin rolin e udhëheqësisë fetare e për pasojë ranë në grackën e njerëzve të etur për pushtet dhe i një pjese tjetër që megjithëse e njihnin rolin e udhëheqësisë fetare nuk patën angazhimin e nevojshëm në fitoren e Imamit.
Imam Hysejni, gjatë Imamatit të tij, qoftë gjatë kohës së Muavijes, qoftë pas vdekjes së tij, gjatë lëvizjes nga Medina në Mekë dhe nga aty në Irak, madje edhe në ditën Ashuras, e ka theksuar vazhdimisht këtë çështje, sepse qeverisja fetare ka karakter popullor dhe zemrat e njerëzve janë baza e saj.
Një mësim tjetër i nxjerrë nga ndodhia e Ashurasë është vëmendja ndaj detyrimeve shoqërore më themelore si nxitja për vepra të mira dhe ndalimi nga veprat e këqija. Vetë Imami në lidhje me këtë thotë: "Vendosmëria dhe vullneti im në këtë kryengritje ka të bëjë me nxitjen për vepra të mira dhe ndalimin e të këqijave".
Në ngjarjen e Ashurasë shfaqet qartazi kjo e vërtetë: Kur vihet në rrezik integriteti i besimit dhe i Islamit, udhëheqësia do të hidhet në veprim qoftë edhe duke sakrifikuar jetën e vet dhe të fëmijëve të vet dhe duke mbrojtur me çdo kusht shuarjen e diellit të shëndritshëm të fesë. Në një thënie që i atribuohet Imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) del qartë se Hirësia e tij është shprehur: "Në se feja e Muhamedit do të qëndrojë e pa ndryshuar, veçse me vrasjen time, atëherë o ju shpata më merrni.”

Përshkrimi i modelit të misionit të gruas myslimane
Një mësim dhe mesazh tjetër i nxjerrë nga ngjarja e Ashurasë, është paraqitja e modelit të pranisë së gruas myslimane dhe angazhimit të saj në përmbushjen e detyrimeve hyjnore si edhe përshkrimi i rolit të luajtur nga gratë në mbështetjen e fesë dhe të udhëheqësisë në mbrojtje të vlerave të shenjtërisë përballë pushtetit të shtypjes dhe të dhunës.
Roli i Ehli Bejtit dhe i grave në paraqitjen e qëllimeve të kryengritjes së Ashurasë, në mbrojtjen dhe ruajtjen e Imamatit pas Imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!), në sqarimin e natyrës së pushtetit të Jezidit, në denoncimin e përçarjes, në nxitjen e opinionit publik dhe të popullit kundër pushtetit të korruptuar të Beni Umajesë etj, vërtetuan faktin se ideja e Imam Hysejnit për të marrë me vete Ehli Bejtin dhe gratë dhe për pjesmarrjen e tyre në kryengritje ka qenë një ide e menduar mirë dhe e zgjuar, në të kundërt, kryengritja e Ashurasë do të mbetej e veçuar e nuk do të bëhej i mundur vazhdimi dhe efektiviteti i saj .

Përfundim
Zoti çdo gjë e krijoi me urtësi dhe arsye. Ai i vuri në provë krijesat e tij për tu treguar atyre që nuk shohin ndërgjegjen e robve të Tij të drejtë. Paqja e Zotit qoftë mbi robtë e Tij të drejtë e të pastër dhe mbi të gjithë dëshmorët dhe luftëtarët në rrugën e së drejtës. Paqja e Zotit qoftë mbi robin e Tij që u provua me të gjitha mënyrat dhe doli krenar nga prova hyjnore. Rruga e Hysejnit është rruga e zemrës. Ai është në zemrën e të gjithëve atyre që e duan.
Dashuria për Hysejnin (paqja qoftë mbi të!) ndez flakë zemrat dhe i ngre peshë ato. Në se na pyesin se çfarë doni të thoni me thirrjet tuaja Hysejn, Hysejn në ditën e Ashurasë, duhet të themi se ne duam të shprehim fjalët e Zotërisë sonë, duam ringjalljen. Ashura është dita e ringjalljes sonë. Në këtë ditë ne duam të pastrojmë shpirtin tonë në "keuther-in" (burim në parajsë) Hysejnian. Ne duam të përvetësojmë nga e para islamin, t'i rifreskojmë vetes frymën e islamit. Ne nuk duam që brenda nesh të shuhet ndjenja e martirizimit, ndjenja e luftës dhe e sakrificës në rrugën e së drejtës, nuk duam që brenda nesh të vdesë shpirti i përkushtimit.
Bëj çudi se si malet qëndrojnë përsëri në këmbë, se si retë mblidhen përsëri pas asaj që i ndodhi Hysejnit? Si vazhdon dielli dhe yjet të ndriçojnë? Si nuk shterojnë burimet? Si vazhdon gjaku ende të rrjedhë në venat e njerëzve?
Le të themi me një fjalë se Ashura është ushqimi ynë hyjnor që zbret çdo vit nga qielli si balsam i pazëvendësueshëm për shpirtrat tanë të etur e të uritur.
Paqja qoftë mbi yllin e zbritur në tokë! Paqja qoftë mbi shpritrat e Qerbelasë dhe të Ashurasë!

Dr. Alibeman Eghbali Zarch

29 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›