Deputetët e Shkodrës: Prokuroria të zbardhë 9 janarin 2004
Deputetët e Shkodrës i kërkojnë prokurorisë të rinisë hetimet për të zbardhur tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004, ku humbën jetën 21 qytetarë shqiptarë. Arenca Trashani e mbështetur nga të gjithë deputetët e tjerë të Shokdrës, të zgjedhur nga Partia Demokratike, i bënë thirrje prokurorisë se dosja e 9 janarit nuk është zbardhur ende. Duke e cilësuar si një krim shtetëror, Trashani theksoi se ende fajtorët realë të asaj tragjedie nuk kanë marrë atë që meritojnë. “Ne jemi të bindur në këtë që deklarojmë, prandaj edhe kërkojmë që prokuroria të rifillojë menjëherë hetimet për shpërdorim detyre, me pasoja të rënda ndaj pushtetarëve të kohës. Gjatë këtyre hetimeve, prokuroria të marrë në konsideratë të gjitha pretendimet e të dëmtuarve. Kemi shumë nevojë të na rikthehet besimi tek sistemi i drejtësisë”, - u shpreh dje për mediat deputetja Trashani. Deputetja Trashani tha më tej se drejtësia ka dënuar vetëm shërbëtorët e asaj tragjedie, ndërsa sipas saj, fajtorët e vërtetë sot gëzojnë imunitet politik. “Drejtësia dhe prokuroria dënuan vetëm disa shërbëtorë fatkeqë për trafik klandestinësh, ndërsa shpërdoruesit klasikë të shpërdorimit të detyrës vazhduan dhe po vazhdojnë të qetë karrierën politike dhe kjo, falë faktit që sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe prokuroria në veçanti, ka qenë dhe mbetet një sistem i kalbur dhe i korruptuar”, - tha Trashani.
Deputetët e Shkodrës këmbëngulin se tragjedia e 9 janarit ishte një krim shtetëror, pasi sipas tyre, shtetasit shqiptarë u lanë të vdisnin në det nga shteti i tyre. “Përse në kohen kur 39 shtetasit shqiptarë po mbyteshin në det qeveria merr dijeni të plote për vendndodhjen dhe rrezikun që u kanosej dhe nuk merr asnjë masë për shpëtimin e tyre. Ata i kërkuan ndihmë qeverisë së tyre për disa orë rresht dhe atë e kemi dëgjuar të gjithë falë medias elektronike. Por klithmat e tyre ranë në vesh të shurdhër”, - deklaroi Trashani. Deputetja shkodrane veshi me përgjegjësi për këtë tragjedi ish-qeveritarët socialistë. “Qeveritarët socialistë jo vetëm që i braktisën shtetasit e tyre në mëshirë të fatit, po sikur të mos mjaftonte kjo, i fyen publikisht duke i deklaruar me cinizëm se në det ndodheshin dy-tre trafikantë droge”, - tha Trashani për mediat.