Martyt i ndihmuan mediet
Xhavit Haliti, zyrtar i lartë i PDK’së, i përmendur në raportin e Dick Martyt, ka thënë se ky raport në thelb është një dokument “politik”, i cili është bazuar në burime që kanë në agjendë diskreditimin e UÇK’së.
“Nuk jam befasuar me raportin. E kam përcjellë këtë çështje për vite të tëra dhe përmbajtja e raportit është politike”, ka thënë Haliti për “Balkan Insight”. Sipas tij, të dhënat në raport nuk janë verifikuar dhe përmbajtja e tij është e bazuar në burime të pasigurta dhe në raporte mediale.
“Kur them ‘media’, dua të them mediet në Kosovë dhe Shqipëri dhe disa persona të caktuar të cilët, për arsye politike, kanë tentuar ta diskreditojnë UÇK’në”, ka thënë ai.
Haliti konsideron se Kosova dhe Shqipëria duhet të përgatiten për hetime nga prokurorët evropianë rreth pretendimeve të Martyt. “Besoj se rezultati do të jetë i ngjashëm me rezultatet e hetimeve të mëhershme nga UNMIK-u dhe nga EULEX-i ndaj UÇK’së”.
Haliti thekson se Marty dhe të gjithë faktorët tjerë që i kanë ndihmuar atij që ta përpilojë raportin duhet t’i paraqesin faktet tek prokurorët e EULEX’it.
Mendoj se është një organ kompetent i hetimeve. Është organ i hetuesisë evropiane. Mendoj se nuk ka asnjë mundësi që njësiti i hetimeve i EULEX’it të mund të ndikohet nga politika e Kosovës apo e Shqipërisë”, ka theksuar Haliti për “Balkan Insight”.
Megjithatë, ai ka pranuar se raporti i ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës, por kjo do të rregullohet kur hetuesit do të dëshmojnë se asnjë prej akuzave në raport nuk janë të vërteta.