Muja: Respektova Kushtetutën
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka thënë se me vendimin për heqjen e përkohshme të logos (Lidhja e Prizrenit, viti 1878) nga dokumentet zyrtare të Komunës, nuk ka bërë tradhti kombëtare, porse ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Këto komente Muja i ka bërë të premten në një konferencë shtypi, duke iu përgjigjur reagimeve të shumta që kanë ardhur pas bërjes publike se logoja e kësaj komune më nuk do të jetë në dokumente zyrtare.
Muja ka thënë se për më se 41 vjet u ka shpjeguar studentëve, edhe në kohë të vështira, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe se në asnjë mënyrë nuk i pranon etiketimet se ai është antikombëtar.
“Po ju them se e mbys veten jo në pus, jo në liqe, jo në det, por në pjatë, aty ku ka më pak pika uji dhe nuk e bëj një tradhti të tillë kombëtare, siç pretendojnë, për fat të keq, disa historianë të më etiketojnë, disa intelektualë të cilëve ua zë për të madhe se nuk janë duke i ditur dhe nuk po konsultohen me Kushtetutën, përmbajtjen e saj, me Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe me Statutin e Komunës”, është shprehur i pari i Prizrenit. Muja ka thënë se si kryetar komune nuk mund të hedhë poshtë një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
“Sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e logos së Komunës së Prizrenit me tri fjalë, që komuna të jetë në tri gjuhë, është vendim i pakthyeshëm. Gjykata Kushtetuese është instanca më e lartë që ia vë kapakun drejtësisë”.