E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa; Akuzë prokurorit se s’kupton fjalimin e tij, gjykata lë në burg Kriston



Avokati i të vetëquajturit Muhamed Abdulla deklaroi si të paligjshme përgjimet e SHISH-it, duke i akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut. I akuzuari kërkoi ndryshim mase në “detyrim paraqitjeje” për shkak të problemeve familjare

Nuk pranon akuzën e ngritur nga Prokuroria, duke akuzuar prokurorin se nuk i kupton fjalimet e tij dhe se i ka marrë të shkëputura fjalitë nga njëra-tjetra. Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka vleftësuar si të drejtë masën e arrestit “burg pa afat” të dhënë në mungesë për shtetasin Artan Kristo, të vetëquajtur Muhamed Abdulla dhe i arrestuar pak ditë më parë me urdhër të prokurorisë. I akuzuari Kristo është sjellë me pranga në duar në sallën e gjyqit, ku i është komunikuar arsyeja e këtij arrestimi. Ndaj tij ishte dhënë një masë arresti në Gjykatën e Tiranës dhe më pas çështja është transferuar në Durrës për shpallje të moskompetencës, pasi banues ishte në Durrës. I akuzuari është munduar të mbrohet para togave të zeza, duke thënë se fjalët e tij janë shkëputur nga konteksti. “Prokurori nuk i kupton ato fjalë. Jam i pafajshëm, nuk meritoj të qëndroj pas hekurave, pasi fjalët janë të shkëputura nga konteksti i fjalimit prej 60 minutash”, - u shpreh Kristo. Sipas tij, është gati të mbajë përgjegjësi të plotë për çfarë ka thënë, por siguron gjykatën se nuk ka pasur për qëllim të nxisë urrejtje apo thirrje publike për terrorizëm. I akuzuari kërkoi më pas që të ndryshohej masa ndaj tij dhe të lihej masa e arrestit “detyrim paraqitjeje” për shkak të problemeve ekonomike familjare dhe gjendjes së tij shëndetësore. Ndërsa avokati mbrojtës, Ilir Malindi, deklaroi se po shkeleshin të drejtat e njeriut dhe se përgjimet e SHISH-it janë të paligjshme, ndërsa iu refuzua kërkesa për njohjen me to nga organi i akuzës. Këto akuza, vetë “imami” Kristo dhe avokati i tij mbrojtës i kanë cilësuar si një kurth i organizuar nga agjentët e SHISH-it. Madje, ata kanë pretenduar se gjithçka është ndërtuar nga Shërbimi Informativ për t'i bërë presion Kristos që ai të rekrutohet dhe të shndërrohet në agjent për të treguar gjithçka që ndodh në botën islame shqiptare. Në përfundim të dëgjimit të prokurorit Edmond Kaloshi dhe të akuzuarit Kristo e avokatit të tij, Malindi, gjyqtarja Dhurata Bilo la në fuqi masën e dhënë nga Gjykata e Tiranës për këtë shtetas, duke e lënë në “burg pa afat”.

Arrestimi

Për muaj të tërë, Kristo është survejuar nga agjentët e SHISH-it. Vëzhgimi dhe përgjimi i tij është kryer në mënyrë konstante, duke monitoruar si jetën reale, ashtu edhe atë virtuale të ndërtuar në forume të ndryshme nën emrin Muhamed Abdulla Al Albani. Informacionet e para të marra nga SHISH-i tregonin se ai mund të ishte pjesë e një celule terroriste. Madje, ai mund të kishte lidhje me rrjetin e terroristit më të madh të botës, Osama bin Laden. Në përfundim të ndjekjes dhe përgjimeve, SHISH formuloi një dosje dhe e dorëzoi atë pranë organit të akuzës në kryeqytet, nga ku iu kërkua gjykatës caktimi i masës “arrest me burg” në mungesë për këtë shtetas, i konsideruar mjaft i rrezikshëm dhe një ndër të dyshuarit për vrasjen e Salih Tivarit. Materialet iu dorëzuan Prokurorisë së Tiranës më datë 27 gusht 2009, duke e “detyruar” këtë të fundit të mblidhte edhe vetë prova për të vërtetuar akuzat dhe provat e servirura nga SHISH. Hetuesit kanë monitoruar aktivitetin virtual të Kristos në disa faqe online dhe aty ka rezultuar se ai kishte tejkaluar elementët që të shpien në veprën penale të nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste. Aktiviteti i Artan Kristos ishte zhvilluar në tre faqe online, www.forum-islamik.com; www.udhezimedhedrita.net dhe www.albselefet.net. Ata i kanë cilësuar këto fjalime si nxitje të urrejtjes fetare, që rrezikojnë përçarjen sociale dhe mbarëvajtjen fetare brenda komunitetit mysliman, si dhe midis besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. "Xhihadi është obligim deri në ditën e gjykimit. Të shfrytëzojmë kohën, vendin, të shfrytëzojmë pasurinë, të shfrytëzojmë mundësitë tona, pasi të kemi realizuar ecurinë në aspektin fetar. Atëherë padyshim që bota do të na nënshtrohet, do t'i nënshtrohet botës islame, nëse realizon këtë çështje... Xhihadi është obligim, si në Palestinë, Afganistan, Irak, apo më herët që duhet të jetë në Andaluzi të Spanjës, ku kanë vdekur muhaxhedinë myslimanë, kanë luftuar për islamin dijetarë, hoxhallarë, popull, gra e fëmijë, ku edhe janë masakruar në Andaluza të Spanjës", - është një pjesë nga pasazhet e Kristos. "... Në Xhihad shkohet për të vrarë, nëse shkon për të vrarë ata qafirë që bëhen pengesë në shtetin islam, është bërë pengesë për shoqërinë islame, për drejtësinë, për shumë gjëra, ta heqësh qafe atë qafir, duhet të shkosh për të vrarë jo për t’u vrarë... Nuk jemi kundër Xhihadit, duhet ta kuptojnë këta të Bin Ladenit që nuk jemi kundër Xhihadit, jemi pro. Ne i lutemi Allahut që të vijë një ditë e të na mundësohet edhe neve Xhihadi, që ta ndihmojmë këtë islam, si me dorë, shpatë, e bombë kur të vijë koha", - thuhet ndër të tjera në fjalët që "imami" Kristo shqipton në pamjet e këtyre videove para një grupi të rinjsh në Rrashbull të Durrësit.

Gjithashtu, sipas dosjes, rezulton se Kristo, prej një kohe të gjatë bën propagandë radikale islamiste, të llojit salafit-tekirist me një grup të vogël të rinjsh nga Rrashbulli e Golemi në Durrës, duke dhënë këshilla fetare tepër radikale për besimtarët myslimanë në faqet e internetit www.forum-islamik.com.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›